Senati ka votuar të mërkurën për të shfuqizuar rezolutën që i dha dritë të gjelbër pushtimit të Irakut më 2003, një përpjekje dypartiake për t’i kthyer Kongresit një fuqi bazë 20 vjet pas autorizimin që shumë tani e shohin si gabim.
Vdekjet në Irak llogariten të jenë qindra e mijëra, dhe afër 5,000 trupa amerikane u vranë në luftë pasi Administrata e presidentit George W. Bush pretendoi në mënyrë të rreme se Sadam Husseini po grumbullonte armë të shkatërrimit në masë, raportoi AP.
“Ky trup nxitoi për në luftë” që pati pasoja masive, tha senatori Tim Kaine, një demokrat që për vite ka shtyrë shfuqizimin e kompetencave.
Nëse kalohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, shfuqizimi nuk do të ndikonte asnjë nga dislokimet ushtarake. Por, ligjvënësit e dy partive po kërkojnë gjithnjë e më shumë të tërheqin kompetencat që i janë dhënë Shtëpisë së Bardhë për sulmet dhe dislokimet ushtarake të SHBA-së, dhe disa ligjvënës që votuan për Luftën e Irakut dy dekada më parë tani thonë se ajo ishte gabim.
Mbështetësit, përfshirë 18 republikanë, thonë se shfuqizimi është kyç për të parandaluar abuzime në të ardhmen dhe për të rifuqizuar se Iraku tani është partner strategjik i SHBA-së. Kundërshtarët thonë se shfuqizimi mund të paraqesë dobësi teksa SHBA-ja ende përballet me konflikt në Lindjen e Mesme.