Shërbimet e sigurisë dhe te inteligjencës të Rusisë kanë arritur një sukses më të madh në Ukrainë sesa ushtria, thotë një think-tank për mbrojtje i Britanisë së Madhe, raporton BBC.
Agjencitë ruse të spiunazhit nisën të përgatisnin pushtimin e Ukrainës qysh në qershor të vitit 2021, thotë një raport i Royal United Services Institute (Rusi).
Shërbimi i Sigurisë së Rusisë (FSB) shpejt dominoi popullatën në rajonet e okupuara të Ukrainës, thuhet nga Rusi.
Raporti është përpiluar duke përdorur burime përfshirë dhe dokumente të siguruara.
Zyrtarët e inteligjencës ukrainase, komunikimet e përgjuara dhe kërkimet në terren gjithashtu kontribuan.
Studiuesit thonë se FSB-ja kishte marrë të dhënat nga kompjuterët e qeverisë ukrainase për të identifikuar individë pro-Kievit që agjentët e saj duan t’i arrestojnë dhe marrin në pyetje.
Njësitë e luftës elektronike ishin vendosur për ta shkëputur pjesën e okupuar të Ukrainës nga bota e jashtme dhe për ta ndihmuar Rusinë që ta mbajë nën kontroll, thotë Rusi.
Sipas grupit të ekspertëve, kreu i inteligjencës së jashtme ruse, SVR, i tha presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se i duhet më tepër kohë për përgatitje dhe kërkoi të shtyhej pushtimi. Kërkesa e tij u refuzua.
Raporti 39-faqësh, ka për synim të paralajmërojë qeveritë perëndimore në lidhje me shtrirjen e operacioneve të fshehta ruse për të përmbysur një vend të synuar.
“Është e qartë se shërbimet speciale ruse arritën të rekrutonin një rrjet të madh të agjentëve në Ukrainë përpara pushtimit dhe se shumica e aparatit ka mbetur i zbatueshëm pas pushtimit”, ka thënë Jack Watling, autori kryesor i raportit.