Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të martën se nëse Ukraina nuk fiton një betejë të vështirë në qytetin kyç lindor, Bakhmut, Rusia mund të fillojë ndërtimin e mbështetjes ndërkombëtare për një marrëveshje që mund t’i kërkojë Ukrainës të bëjë kompromise të papranueshme.
Ai gjithashtu ka ftuar liderin e Kinës, Xi Jinping, i cili prej kohësh është lidhur me Rusinë, që ta vizitojë Ukrainën.
Në një intervistë për Associated Press, Zelensky ka thënë se nëse Bakhmuti do të binte në duart e forcave ruse, presidenti i tyre, Vladimir Putin, do t’ia shiste këtë fitore Perëndimit, shoqërisë së tij, Kinës e Iranit.
"Nëse ai do të ndjejë pak gjak - erë se jemi të dobët - ai do të vazhdojë shtytjen e tij”, ka thënë Zelensky për AP-në brenda një treni që kalonte nëpër qytetet e Ukrainës.
Zelensky ka theksuar se është i vetëdijshëm që suksesi i vendit të tij ka qenë kryesisht për shkak të mbështetjes ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore.
Presidenti ukrainas së fundmi ka bërë një vizitë pranë Bakhmutit, ku forcat ukrainase dhe ruse janë mbyllur prej muajsh në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme. Ai ka paralajmëruar se një humbje kudo në këtë fazë të luftës mund të vërë në rrezik Ukrainën.
Ai i bëri ftesë presidentit kinez Xi Jinping që ta vizitojë Ukrainën.
"Jemi gati ta presim atë këtu. Dua të flas me të. Kam pasur kontakte me të para luftës në shkallë të gjerë. Por gjatë gjithë këtij viti, më shumë se një vit, nuk kam pasur”, ka thënë ai.
Kina, e lidhur ekonomikisht dhe politikisht e favorshme ndaj Rusisë gjatë shumë dekadave, i ka siguruar Putinit mbulesë diplomatike duke mbajtur një pozicion zyrtar neutraliteti në luftë.
Xi vizitoi Putinin në Rusi javën e kaluar, duke ngritur perspektivën se Pekini mund të jetë gati t'i sigurojë Moskës armët dhe municionet që i nevojiten për të rimbushur rezervat e saj të varfëruara. Por udhëtimi i Xi përfundoi pa ndonjë njoftim të tillë. Ditë më vonë, Putin njoftoi se do të vendoste armë bërthamore taktike në Bjellorusi.
Zelensky ka vlerësuar se masa e Putinit kishte për qëllim të largonte vëmendjen nga mungesa e garancive që ai mori nga Kina.
"Çfarë do të thotë? Do të thotë se vizita nuk ishte e mirë për Rusinë”, është shprehur ai.