Botë

Protesta masive në Izrael pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes nga Netanyahu

Dhjetëra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në të gjithë Izraelin pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shkarkoi ministrin e tij të Mbrojtjes.

Yoav Gallant ishte shprehur kundër planeve për reforma në sistemin e drejtësisë.

Në Jerusalem, policia dhe ushtria kanë përdorur topa me ujë kundër demonstruesve të cilët janë mbledhur pranë shtëpisë së Netanyahut.

Të hënën herët në mëngjes, presidenti i Izraelit Isaac Herzog i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë reformat, shkruan BBC.

“Për hir të unitetit të popullit të Izraelit, për hir të përgjegjësisë, ju bëj thirrje që të ndaloni menjëherë procesin legjislativ”, ka shkruar ai në Twitter, duke shtuar se “sytë e të gjithë popullit të Izraelit janë mbi ju”.

SHBA-ja tha gjithashtu se ishte thellësisht e shqetësuar për zhvillimet dhe bëri thirrje për një kompromis.

Reformat përfshijnë plane që do t'i jepnin Qeverisë kontroll të plotë mbi komitetin që emëron gjyqtarët.