Shtyrja e vizitës shtetërore në Francë nga Mbreti Charlesi III ishte e pashmangshme: Fotografitë e presidentit Emmanuel Macron duke darkuar me monarkun britanik në Château de Versailles teksa Parisi është në flakë, do të ishin provokim ndaj punëtorëve që po u prijnë demonstratave dhe grevave nëpër krejt shtetin.
Gazeta amerikane “New York Times” në një analizë ka vlerësuar se këto protesta masive kanë ndërruar karakter gjatë javës së kaluar. Janë bërë më të fuqishme dhe në disa qytete edhe më të dhunshme – sidomos gjatë mbrëmjeve.
Sipas gazetës njujorkeze, protestat kanë qenë më pak shprehje e pakënaqësisë ndaj ngritjes së moshës së pensionit nga 62 në 64 vjet dhe më shumë ndaj Macronit dhe mënyrës se si ka miratuar ligjin duke shmangur votën e plotë në Parlament. Krejt në fund, protestat janë zgjeruar në diçka që i afrohet krizës kushtetuese.
Francës i pëlqen të ëndërrojë revolucione, ndoshta edhe kthimin e trazirave të vitit 1789 që çuan në gijotinën e mbretit dhe mbretëreshës së vet dhe shpërbërjen e monarkisë tre vjet më vonë. Shteti padyshim se nuk është afër trazirave transformuese. Mirëpo francezët e ndiejnë se Macroni e ka shkelur vijën e kuqe.
Ai vendosi dëshirën e tij për të miratuar ligjin që kurrë nuk mori votat në Dhomën e Ulët të Parlamentit, në kohën kur sondazhet tregonin se dy të tretat e njerëzve kundërshtonin këtë ligj.
Përkrahja për të ka rënë në 28 për qind, më e ulëta që prej fillimit të trazirave sociale të Jelek-Verdhëve në vitin 2018.
Neni i dytë i Kushtetutës franceze thotë se principi i Republikës është “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin”. Neni i tretë thotë se “sovraniteti kombëtar i përket popullit, që e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve dhe me anë të referendumit”.
Mirëpo neni 49.3, tani i përdorur 100 herë që prej themelimit të Republikës së Pestë në vitin 1958 dhe 11 herë nga Qeveria e Elisabeth Borne, kryeministrja e zgjedhur nga Macroni në verën e kaluar, lejon Qeverinë që të miratojë ligj pa votim për sa kohë që vendos mbijetesën e saj në vijën e votimit në Parlament.
Qeveria për pak i shpëtoi votës së mosbesimit në fillim të javës.
Natyrisht, vota për ligjin dhe ajo për mbijetesën e Qeverisë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Bartin peshë të ndryshme.
Në fakt, kjo ka ndodhur fiks kështu sepse Macroni gjykoi se ligji për ngritjen e moshës së pensionit nuk i kishte votat, por Qeveria e tij kishte shanse më të mëdha që të mbijetonte dhe për këtë arsye përdori nenin 49.3, që nga kritikët e tij shihet si veprim antidemokratik.
Ishte kumar i rrezikshëm dhe fryma ndaj tij ka qenë goxha e furishme.
Protesta dhe greva të reja janë thirrur për të martën e ardhshme, një arsye më shumë për shtyrjen e vizitës mbretërore të mbretit britanik. Me më shumë se 1 milion njerëz nëpër rrugë, protesta nuk ofroi shenja të ndaljes. As Macroni nuk ka lëshuar udhë.
Por, siç ka thënë Philippe Labro, shkrimtar dhe komentator politik, anulimi i minutës së fundit të vizitës së Mbretit Charles III sugjeroi se “qendrat e pushtetit tani kanë frikë”.