Botë

Spiuni i paqes

Roberti thotë se qëllimi kryesor ishte unifikimi i Irlandës. Fjalët e tij ashtu siç i ka thënë i kishte shkruar Gerry Kelly: “Zgjidhja përfundimtare është unioni. Do të ndodhë gjithsesi. Treni historik – Evropa – e përcakton këtë. Unionistët duhet të ndryshojnë. Ky ishull do të jetë një”

Spiuni i shërbimit britanik të inteligjencës MI5, i cili ndihmoi që të arrihej paqja në Irlandën Veriore, duke shpërfillur urdhrat, ka thyer heshtjen e tij në një rrëfim për BBC-në.

Ai ka rrëfyer se është takuar me liderët e IRA-s në marsin e vitit 1993, ani pse bisedimet ishin anuluar nga qeveria britanike pasi nga bombat e IRA-s vdiqën dy të rinj në Angli.

Ato që i ka thënë spiuni në këtë takim kanë nxitur liderët e IRA-s që të deklaronin armëpushimin dhe të lëviznin drejt procesit që u mbyll me Marrëveshjen e të Premtes së Mirë në vitin 1998.

Gazetari i BBC-së, Peter Taylor në 30 vjetët e fundit ka bërë përpjekje për të gjetur këtë spiun. Ai ka zbuluar se ato çfarë ka thënë spiuni gjatë bisedimeve nuk ishin të autorizuara nga qeveria britanike.

Minutat e takimit janë publikuar nga Sinn Fein – krahu politik i IRA-s – në vitin 1994. Ky krah pretendon se spiuni ka thënë: “Zgjidhja përfundimtare është unioni... ky ishull do të jetë një”.

“Këto fjalë janë sa kundërthënëse aq edhe të rëndësishme”, thotë Taylor në dokumentarin e BBC-së “The MI5 Spy and the IRA: Operation Chiffon”.

“Për unionistët fjalët e tilla shiheshin si tradhti e paparë”, thotë ai.

Image
Gazetari i BBC-së, Peter Taylor në 30 vjetët e fundit ka bërë përpjekje për të gjetur spiunin me emrin Robert. Ai ka zbuluar se ato çfarë ka thënë spiuni gjatë bisedimeve nuk ishin të autorizuara nga qeveria britanike.

Në kërkim të spiunit

Gazetari thotë se donte të dëgjonte ato që janë thënë nga vet goja e spiunit, por për ta bërë këtë është dashur punë deri te zbulimi i tij.

Është fort e rrallë që një zyrtar i MI5 të flasë për operacionet top-sekret si ky me Irlandën Veriore. Emri kodues i operacionit ishte “Chiffon” dhe ishte menduar që të detyronte IRA-n të thërriste armëpushimin dhe të përqafonte procesin politik.

“Ishte takimi bazë që besoj se në aspektin afatgjatë kulminoi me Marrëveshjen e së premtes së mirë para 25 vjetësh”, thotë gazetari veteran në këtë dokumentar.

I nisur në vitin 1991, Operacioni Chiffon funksionoi si kanal sekret i komunikimit mes liderëve të IRA-s dhe qeverisë britanike. Deri atëherë nga konflikti kishin vdekur 3 mijë persona.

Gazetari zbuloi se spiuni tek IRA njihej si “Fredi”, por emri i tij i vërtetë ishte Robert.

Në dokumentar, Roberti zbulon për Taylorin se takimi “sy më sy” me liderët e IRA-s më 23 mars të vitit 1993 nuk ishte autorizuar nga qeveria britanike.

“Isha fikall vetëm, po merresha me çështjen më të rëndësishme të lidershipit të IRA-s që prekte jo vetëm politikën irlandeze, por edhe atë britanike. E dija se duhej të kisha sukses, dhe vetëm konsistenca dhe durimi mund të arrijnë këtë”, thotë ai. Për vite të tëra ishte ndier fajtor për atë që kishte bërë.

“E kam mashtruar kryeministrin, kështu që edhe Mbretëreshën. Ishte gjë shumë e vështirë dhe keqe që ta kem këtë në vetëdije. Ndihesha i vetmuar”, thotë spiuni britanik.

IRA sapo kishte kryer sulmin me bombë në Warrington, duke lënë të lënduar 50 persona ndërkaq la të vdekur dy fëmijë të moshave tre dhe 12 vjeçare. I dha fund qëllimit të qeverisë që të angazhohej me IRA-n dhe takimi sekret ishte anuluar në momentet e fundit nga atëherë kryeministri John Major.

Mirëpo spiuni kishte marrë një mesazh nga IRA që paralajmëronte se ishte e gatshme për rrugën politike sesa ushtarake dhe ishte shqetësuar se anulimi i takimit do të vendoste në pakthim procesin embrionik të paqes.

“Kisha turli mendimesh. Shqetësimin se po dilja kundër qeverisë dhe mbretëreshës sime”, rrëfen spiuni Robert në dokumentarin e BBC-së.

Image
Bisedimet zyrtare ishin anuluar për shkak të bombës që shpërtheu në Warrington, duke lënë të vdekur dy fëmijë

Shpërfillja e shefit

Pas disa orësh në kërkim të vetes në Stormontin e qetë dhe fshataresk, spiuni e sosi që të vazhdonte me punën, duke shpërfillur edhe shefin John Deverell, drejtor i MI5 për Irlandën Veriore, i cili e kishte urdhëruar që të mos shkonte në takim.

Republikanët veteranë Martin McGuinness dhe Gerry Kelly ishin në takim, duke përfaqësuar lidershipin e IRA dhe Sinn Fein. Zgjati rreth tre orë dhe u mbajt në Londonderry në shtëpinë e Brendan Duddy, biznesmen nacionalist i rryer pas paqes. Republikanët prisnin që Roberti të ishte i shoqëruar nga shefi i tij dhe dyshonin se përse erdhi i vetëm.

“McGuinness foli më së shumti. Nuk ishte bashkëbisedim miqësor”, thotë Robert.

Gjatë takimit, Martin McGuinness e pyeti se cilat ishin qëllimet e “Britanikëve”, duke besuar se Roberti po fliste ashtu siç kishte prezantuar veten: “Përfaqësues i qeverisë britanike”.

Roberti thotë se qëllimi kryesor ishte unifikimi i Irlandës. Fjalët e tij ashtu siç i ka thënë i kishte shkruar Gerry Kelly: “Zgjidhja përfundimtare është unioni. Do të ndodhë gjithsesi. Treni historik – Evropa – e përcakton këtë. Unionistët duhet të ndryshojnë. Ky ishull do të jetë një”.

Spiuni e pranon se nuk kishte autoritet për t’i thënë ato fjalë dhe ishin fiks ashtu si politika e qeverisë britanike.

“Ato fjalë ishin aq ndezëse dhe të rëndësishme sepse dukeshin se paralajmëronin të njëjtën gjë, prapa skenave, qeveria britanike kishte një politikë – e cila nuk po zbulohej në atë fazë – puna drejt unitetit irlandez”, sqaron gazetari i BBC-së.

Fjalët e tij përkonin me republikanët.

Në një takim me gazetarin në muajin shkurt, Gerry Kelly e ka përshkruar takimin si “moment vendimtar”.

“Na tha se ishte përfaqësues i qeverisë britanike. Ne i besuam fjalët e tij – se ai ishte aty për atë punë dhe se përfaqësonte qeverinë britanike dhe se ne po flisnim me këtë qeveri”, thotë Kelly.

“Na dha shpresë se kishte mundësi për procesin e paqes nëpërmjet takimeve domethënëse. Mendoj se ai [Roberti] e bëri gjënë e duhur dhe mund të thotë se ishte pjesë e historisë”, shton ai.

Gjatë pauzës në takim, nikoqiri Brendan Duddy i kishte thënë Robertit: “Mendoj se i zure ngushtë, mendoj se do të thërrasin armëpushimin”.

Roberti nuk u sqarua mirë me qeverinë britanike në lidhje me takimin, por sekreti u bë publik më vonë, më 28 nëntor të vitit 1993 kur “The Observer”, publikoi artikullin me të cilin raportonte se një zyrtar britanik kishte takim sekret me IRA-n tre ditë pas bombës në Warrington.

“Ky ishte turp i madh sepse qeveria vazhdimisht kishte mohuar se kishte takime sy më sy me IRA-n”, sqaron gazetari në dokumentarin e BBC-së.

Image
Letra që spiuni ia shkroi gazetarit Taylor

Dorëheqja e spiunit

Roberti dha dorëheqje nga shërbimi sekret. Taylori e ndoqi spiunin për më shumë se 20 vjet. Gjurmët e Robertit u shfaqën nga mbishkrimi i nënshkruar në një libër që spiuni ia kishte dhuruar Brendan Duddyt. Mbishkrimi - citim në latinisht i marrë nga Eneida e Virgjilit – i përkthyer, shkruhej: Ndoshta një ditë do të jetë mirë t’i kujtojmë këto gjëra”. Në fund ishte nënshkruar “Roberti”.

Mirëpo për shkak të rregullave të MI5, spiuni e gënjeu gazetarin duke i thënë se nuk ishte njeriu që po kërkonte. Ama në vitin 2021, gazetari pranoi një letër.

“I dashuri zotëri Taylor. Padyshim se do të befasohesh që po dëgjon nga unë pas kaq shumë vitesh. Për arsye të ndryshme tani mund të ofroj të dhëna për të cilat do të ishit të interesuar. Dy figura nga angazhimi im kanë vdekur [Martin McGuinness dhe Brendan Duddy], e treta, e rëndësishme për mua, është bashkëshortja ime. Është vdekja e saj, e cila më vendos në pozitë që të kontaktoj. Sinqerisht, Roberti”, thuhej në letër.

“Do të doja që të mbahej mend ajo që kam bërë”, thotë spiuni në dokumentar.

Përktheu: Gent Mehmeti