Francës i pëlqen të ëndërrojë revolucione, ndoshta edhe kthimin e trazirave të vitit 1789 që çuan në gijotinën e mbretit dhe mbretëreshës së vet dhe shpërbërjen e monarkisë tre vjet më vonë. Shteti padyshim se nuk është afër trazirave transformuese. Mirëpo francezët e ndjenjë se Macroni e ka shkelur vijën e kuqe.
Shtyrja e vizitës shtetërore në Francë nga Mbreti Charlesi III ishte e pashmangshme: Fotografitë e presidentit Emmanuel Macron duke darkuar me monarkun britanik në Château de Versailles teksa Parisi është në flakë, do të ishin provokim ndaj punëtorëve që po u prijnë demonstratave dhe grevave nëpër krejt shtetin.
Këto protesta masive kanë ndërruar karakter gjatë javës së kaluar. Janë bërë më të fuqishme dhe në disa qytete edhe më të dhunshme – sidomos gjatë mbrëmjeve. Kanë qenë më pak shprehje e pakënaqësisë ndaj ngritjes së moshës së pensionit nga 62 në 64 vjet dhe më shumë ndaj Macronit dhe mënyrës se si ka miratuar ligjin duke shmangur votën e plotë në Parlament. Krejt në fund, protestat janë zgjeruar në diçka që i afrohet krizës kushtetuese.
“Jemi shpërngulur nga kriza sociale me temën e pensionimit te fillimi i krizës demokratike”, thotë Laurent Berger, shef i Konfederatës Demokratike të Punëtorëve në Francë, sindikata më e madhe dhe e moderuar në Francë. “Pakënaqësia po rritet dhe para nesh kemi një president që nuk e sheh këtë realitet”.
Në grafitin e një ndërtese në Paris shkruhej: “Ti më zgjedh, unë vendosi dhe ti e mbyll gojën”. Kjo përthekon pikëpamjen e Macronit në krye të shtetit, si sundimtar që largon njerëzit. Ndërkaq në një tjetër shkruhej: “Charles III, a dini gjë për gijotinën?”, tregon se si vizita e anuluar mbretërore tashmë ka ngatërruar monarkun britanik me presidentin francez, i cili nga kritikët konsiderohet si monark.
Francës i pëlqen të ëndërrojë revolucione, ndoshta edhe kthimin e trazirave të vitit 1789 që çuan në gijotinën e mbretit dhe mbretëreshës së vet dhe shpërbërjen e monarkisë tre vjet më vonë. Shteti padyshim se nuk është afër trazirave transformuese. Mirëpo francezët e ndiejnë se Macroni e ka shkelur vijën e kuqe.
Ai vendosi dëshirën e tij për të miratuar ligjin që kurrë nuk mori votat në Dhomën e Ulët të Parlamentit, në kohën kur sondazhet tregonin se dy të tretat e njerëzve kundërshtonin këtë ligj. Përkrahja për të ka rënë në 28 për qind, më e ulëta që prej fillimit të trazirave sociale të Jelek-Verdhëve në vitin 2018.
Përdorimi i Kushtetutës
Neni i dytë i Kushtetutës franceze thotë se principi i Republikës është “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin”. Neni i tretë thotë se “sovraniteti kombëtar i përket popullit, që e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve dhe me anë të referendumit”.
Mirëpo neni 49.3, tani i përdorur 100 herë që prej themelimit të Republikës së Pestë në vitin 1958 dhe 11 herë nga Qeveria e Elisabeth Borne, kryeministrja e zgjedhur nga Macroni në verën e kaluar, lejon Qeverinë që të miratojë ligj pa votim për sa kohë që vendos mbijetesën e saj në vijën e votimit në Parlament.
Qeveria për pak i shpëtoi votës së mosbesimit në fillim të javës.
Natyrisht, vota për ligjin dhe ajo për mbijetesën e Qeverisë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Bartin peshë të ndryshme.

Loja e rrezikshme
Në fakt, kjo ka ndodhur fiks kështu sepse Macroni gjykoi se ligji për ngritjen e moshës së pensionit nuk i kishte votat, por Qeveria e tij kishte shanse më të mëdha që të mbijetonte dhe për këtë arsye përdori nenin 49.3, që nga kritikët e tij shihet si veprim antidemokratik.
Ishte kumar i rrezikshëm dhe fryma ndaj tij ka qenë goxha e furishme.
Në një vlerësim nga Mediapart, portal hulumtues, shkruhej se versioni më i saktë i nenit të tretë të Kushtetutës do të ishte: sovraniteti kombëtar i përket popullit, i cili ka të drejtë ta ushtrojë atë nëpërmjet përfaqësuesve dhe me anë të referendumit, përveç në rast të veçanta në të cilat dëshira e njerëzve sovran keqgjykohet nga presidenti”.
Refuzimi në rritje ndaj presidencës së plotfuqishme të konceptuar nga Charles de Gaulle për Republikën e Pestë, pas kaosit parlamentar në Republikën e Katërt, u nxit nga intervista intransigjente e Macronit këtë javë.
Në këtë intervistë ai ka thënë se “nuk do të pranonte as kryengritësit as fraksionet” në kohën kur “Shtetet e Bashkuara po jetojnë pas asaj që përjetoi në Capitol”.
Shumë francezë e kanë cilësuar si provokative analogjinë e Macronit mes protestave kundër ligjit me trazirat e vitit 2021 në Capitol të Washingtonit.
“Ajo që kemi parë është vertikalitet ekstrem i pushtetit të Macronit”, ka thënë Berger, lider i sindikatës. “Sindikata jonë do të donte të përfshihej në negociata dhe të arrihej kompromisi, por për këtë duhen dy palë”.
Që prej muajit janar, ka thënë ai, sindikata nuk është kontaktuar nga Macroni apo ministrat e tij.
Ligjëratat ekonomike
Në një intervistë televizive, Macroni gjithashtu ka thënë se e kishte një ndjenjë solemne të përgjegjësisë që sistemi pensional i Francës të mbetej i zbatueshëm, duke argumentuar se kjo ishte e pamundur me punëtorët aktivë që u kërkohet të mbështesin pensionistët që tani jetojnë më gjatë.
Mbi të gjitha, në pikëpamjen e Macronit, është esenciale ekonomia stabile dhe dinamike. Reformat e mëhershme ekonomike gjatë presidencës së tij kishin ulur ndjeshëm papunësinë. Hapja e vendeve të reja të punës dhe investimeve të huaja ishte ngritur. Sektori teknologjik po përjetonte “boomin” e vet.
Mirëpo Franca tani është shumë e zemëruar për t’i dëgjuar ligjëratat ekonomike të Macronit.
“Shumë njerëz tani janë në gjendje lufte dhe nuk duan të dëgjojnë gjuhën e modernizuar”, ka thënë Guy Groux, specialist i sindikatave franceze. “Protestuesit janë ndarë nga sindikatat dhe po dalin nëpër rrugë gjatë mbrëmjeve”.
Protesta dhe greva të reja janë thirrur për të martën e ardhshme, një arsye më shumë për shtyrjen e vizitës mbretërore të mbretit britanik. Me më shumë se 1 milion njerëz nëpër rrugë, protesta nuk ofroi shenja të ndaljes. As Macroni nuk ka lëshuar udhë.
“Është koha për Macronin që të tregojë empati, t’i qetësojë gjërat dhe ta sigurojë popullin”, ka thënë Berger, duke bërë thirrje për dialog dhe pauzë të ligjit. “Ai duhet të dëgjojë zemrën franceze”.
Gjatë pandemisë Covid-19, ka shtuar Berger: “Ne e vendosëm njeriun përsëri në qendër të jetës dhe bëmë disa gjëra të mahnitshme. Dhe tani befas ne kthehemi aty ku ishim më parë. Ju nuk mund ta bëni këtë. Njerëzit duan konsideratë, duan të dëgjohen dhe duan të mbrohen”. Tani për tani, ka pak shenja për këtë nga Qeveria.
Por, siç ka thënë Philippe Labro, shkrimtar dhe komentator politik, anulimi i minutës së fundit të vizitës së Mbretit Charles III sugjeroi se “qendrat e pushtetit tani kanë frikë”.
Përktheu: Gent Mehmeti