Zjarrfikësit kanë thënë të shtunën se kishin vënë nën kontroll zjarrin e parë të madh në Spanjë këtë vit, i cili u përhap në provincën lindore të Valencias, duke shkatërruar më shumë se 4 mijë hektarë pyje dhe duke detyruar 1.500 banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, shkruan ap.
Një dimër jashtëzakonisht i thatë në pjesë të Evropës Jugore ka ngjallur frikën e një përsëritjeje të zjarreve të vitit 2022, kur u shkatërruan 785 mijë hektarë, më shumë se dyfishi i mesatares vjetore të 16 vjetëve të fundit, sipas statistikave të Komisionit Evropian.
Në Spanjë vitin e kaluar, 493 zjarre shkatërruan një rekord prej 307 mijë hektarësh tokë, sipas Sistemit Evropian të Informacionit të Zjarrit të Pyjeve (EFFIS).
Rreth 500 zjarrfikës, të mbështetur nga 20 avionë dhe helikopterë, u përpoqën të vinin nën kontroll zjarrin pranë fshatit Villanueva de Viver në provincën e Valencias, njoftuan shërbimet e urgjencës të shtunën.
Ata arritën të parandalonin përhapjen e zjarrit në zona të tjera. Por zjarri në përmasa më të vogla po vazhdon në disa pjesë tjera të vendit.