Botë

Drejtuesit e organizatës ruse që fitoi çmimin Nobel në shënjestër të bastisjeve

Nëntë drejtues të një prej grupeve më të vjetra të të drejtave të njeriut në Rusi, Memorial, janë vënë në shënjestër të bastisjeve në shtëpitë e tyre pas më shumë se një viti që kur organizata e tyre u mbyll nga gjykatat.

Në mesin e tyre është edhe bashkëkryetari i Memorialit, Oleg Orlov, i cili po përballet me një çështje penale për diskreditim të ushtrisë.

I themeluar në vitin 1989, Memorial synonte të kujtonte miliona njerëz të pafajshëm të persekutuar nga represioni sovjetik. Por, kjo organizatë u likuidua përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Bastisjet u zhvilluan pasi komiteti hetues i Rusisë hapi një hetim penal kundër Memorial për "rehabilitimin e nazizmit", raportoi të martën BBC-ja.

Memoriali ka qenë nën presion politik prej vitesh dhe ai u intensifikua në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe forcat pro ruse pushtuan zonat e Ukrainës lindore.

Ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe 2022 së bashku me Qendrën e Ukrainës për Liritë Civile dhe aktivistin bjellorus për të drejtat civile, Ales Bialiatski. Ai u dënua me 10 vjet burg këtë muaj.

Kryetari i Memorialit, Yan Rachinsky është një nga udhëheqësit e shënjestruar në bastisjet e së martës. Kur mori çmimin Nobel në Oslo dhjetorin e kaluar, ai tha se grupi ishte këshilluar nga autoritetet ruse të mos shkonte.

Mediat liberale në Rusi i përshkruan kërkimet si pjesë e një goditjeje të re nga autoritetet ndaj mospajtimit.

Oleg Orlov po hetohet sipas një ligji të futur disa ditë pasi trupat ruse hynë në Ukrainë vitin e kaluar.

Vepra e "diskreditimit të ushtrisë" është përdorur në mënyrë të përsëritur për të dhënë burgime të gjata për rusët që kanë guxuar të kritikojnë luftën, duke përfshirë figurën e opozitës Ilya Yashin dhe këshilltarin e Moskës, Alexei Gorinov.

Akuzat për "rehabilitimin e nazizmit" të ngritura në Memorial datojnë që nga viti 2021.