Instituti Amerikan për Studimin e Luftës i ka komentuar dyshimet e shpërndara se Rusia po ka telashe të mëdha me koordinimin me grupin e mercenarëve “Wagner”.
Siç thuhet në raportin e publikuar të martën, Instituti tha se lideri i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, është përplasur me kreun e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, për mercenarët e vrarë në luftë. Aty u tha se përplasjet nisën me Bakhmutin, ku aktualisht po zhvillohen luftime të rrepta.
Prigozhin ka deklaruar ditë më parë se Kremlini zyrtar s’i ka lejuar mercenarët të luftojnë “aq sa duhet” në atë lokacion, me qëllim që ta marrin tërë qytetin. Ai tha se kjo është bërë nga presidenti Vladimir Putin, me qëllim që të mos shihet forca reale e grupit “Wagner”.
Ndërsa, krah Putinit ka dalë Kondratyevi, që sipas Institutit, ka qenë kundër varrosjes së mercenarëve nga autoritetet ruse.
“Prigozhin pretendoi më 20 mars se Kondratyev ftoi personalisht një përfaqësues të “Wagnerit” në Krasnodar. Ai më 18 mars tha se autoritetet në Krasnodar, refuzuan një marrëveshje për t’i varrosur mercenarët”, u tha në raport.
Raportet ndërkombëtare të sigurisë kanë bërë të ditur se “Wagneri” i komandon 50.000 trupa në Ukrainë dhe se ka rol kyç në këtë luftë.