Botë

Kina dhe Ukraina po përpiqen ta organizojnë një bisedë Xi-Zelensky

Një zyrtar ukrainas ka thënë se po zhvillohen diskutime me Kinën që të organizohet një bisedë telefonike ndërmjet presidentit kinez, Xi Jinping dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Biseda ndërmjet dy presidentëve do të organizohet lidhur me planin kinez për paqe në Ukrainë, raportoi CNN-i të martën.

Nëse kjo bëhet e mundur, do të shënonte bisedimet e para ndërmjet dy liderëve.

Presidenti kinez aktualisht është duke zhvilluar udhëtimin e parë në Rusi dhe takimet me presidentin rus, Vladimir Putin, që kur ai urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se Putini dhe Xi-ja kanë diskutuar për planin kinez të paqes gjatë takimit të tyre të hënën, i cili ka zgjatur të paktën katër orë e gjysmë.