Por SHBA-ja paralajmëroi se plani i paqes mund të ishte një "taktikë ngecëse". Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha: "Bota nuk duhet të mashtrohet nga asnjë lëvizje taktike e Rusisë, e mbështetur nga Kina apo ndonjë vend tjetër, për të ngrirë luftën sipas kushteve të saj"
Vladimir Putini ka thënë se do të diskutojë planin 12-pikësh të Xi Jinpingut për "zgjidhjen e krizës akute në Ukrainë", gjatë një vizite të shumëpritur në Moskë nga presidenti kinez.
"Ne jemi gjithmonë të hapur për një proces negociatash", tha presidenti Putin, ndërsa liderët iu referuan njëri-tjetrit me "mik i dashur".
Kina publikoi një plan për t'i dhënë fund luftës muajin e kaluar - ai përfshin "ndërprerjen e armiqësive" dhe rifillimin e bisedimeve të paqes.
Por SHBA-ja paralajmëroi se plani i paqes mund të ishte një "taktikë ngecëse". Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha: "Bota nuk duhet të mashtrohet nga asnjë lëvizje taktike e Rusisë, e mbështetur nga Kina apo ndonjë vend tjetër, për të ngrirë luftën sipas kushteve të saj".

Bashkë kundër “SHBA-së agresive”
Plani i Kinës nuk thoshte në mënyrë specifike se Rusia duhej të tërhiqej nga Ukraina – gjë që Ukraina e ka këmbëngulur si parakusht për çdo bisedim.
Në vend të kësaj, ai foli për "respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve", duke shtuar se "të gjitha palët duhet të qëndrojnë racionale dhe të ushtrojnë përmbajtje" dhe "të depërshkallëzojnë gradualisht situatën".
Plani dënoi gjithashtu përdorimin e "sanksioneve të njëanshme" - të parë si një kritikë e mbuluar ndaj aleatëve të Ukrainës në Perëndim.
Të hënën, një bandë ushtarake i organizoi Xisë mirëseardhje të ngrohtë në Moskë. Putini përshëndeti Kinën për "respektimin e parimeve të drejtësisë" dhe nxitjen për "siguri të pandarë për çdo vend".
Në këmbim, Xi i tha Putinit: "Nën udhëheqjen tuaj të fortë, Rusia ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e saj të begatë. Unë kam besim se populli rus do të vazhdojë t'ju japë mbështetjen e tij të fortë”.
Para mbërritjes së Xi-së, Putini shkroi në gazetën kineze “People's Daily” se të dy kombet nuk do të dobësohen nga politika "agresive" e SHBA-së.
Publikisht, liderët ukrainas kanë theksuar gjuhën e përbashkët që kanë me Kinën - respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Por privatisht ata kanë lobuar për një takim - ose telefonatë - midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe Xisë.
Frika në Kiev është se mbështetja e Kinës për Rusinë - aktualisht e bazuar në teknologji dhe tregti - mund të bëhet ushtarake, duke përfshirë potencialisht predha artilerie.
“Nëse Kina lëviz për ta furnizuar hapur me armë Rusisë, ajo në fakt do të marrë pjesë në konflikt në anën e agresorit”, tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës.
“Gjykimi” i Putinit për krime lufte
Në Londër, sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, ka thënë se urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Putinin është moment historik për luftën në Ukrainë”. Raab u është adresuar pjesëmarrësve në një konferencë ndërkombëtare për Ukrainën, ku po marrin pjesë ministrat e Drejtësisë.
“Dhe kjo përçon një mesazh edhe më të fortë anembanë botës te despotët dhe diktatorët kurdo që ata mund të nxirren para drejtësisë, se ata do të japin llogari”, ka deklaruar Raab.
Konferenca po organizohet bashkërisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda në mbështetje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe të hetimit të situatës në Ukrainë.
Ndërkohë shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian ka thënë se Putini duhet të arrestohet menjëherë.
“Nëse presidenti Putin udhëton në njërin prej më shumë se 130 shteteve, të cilat kanë nënshkruar këtë traktat ndërkombëtar, duhet të arrestohet menjëherë”, ka deklaruar Josep Borrell.
Por Putini ka udhëtuar të shtunën mbrëma, sipas mediave ruse, në qytetin e pushtuar të Ukrainës, Mariupol, ku është pritur nga disa zyrtarë dhe qytetarë besnikë ndaj pushtimit rus të shtetit fqinj.
Përgatiti: Rexhep Maloku