Botë

Vizita e Jinpingut në hije të urdhërarrestit për krime lufte

Disa ditë pasi lëshimit të urdhërarrestit për Vlladimir Putinin për krime lufte në Ukrainë, homologu kinez ka vizituar Moskën. Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, duke akuzuar Perëndimin si shkaktar të luftës. Por, SHBA-ja e ka paralajmëruar Pekinin se e presin pasoja serioze nëse armatos Rusinë

Presidenti kinez, Xi Jinping, është takuar në Moskë me homologun Vladimir Putin. Është një vizitë e rëndësishme për Putinin në kohën kur po rritet izolimi ndërkombëtar ndaj tij.

Perëndimi ia ka bërë të qartë Pekinit se do të përballet me pasoja serioze nëse armatos trupat ruse në luftën e tyre në Ukrainë.

Takimi i sotëm konsiderohet joformal, derisa nesër do të ketë bisedime zyrtare, pasuar me një konferencë për media. Putini akuzohet nga Perëndimi për krime lufte në Ukrainë. Madje është lëshuar urdhërarrest për të.

Sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, ka thënë të hënën në Londër se urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Putinin është moment historik për luftën në Ukrainë”. Raab u është adresuar pjesëmarrësve në një konferencë ndërkombëtare për Ukrainën, ku po marrin pjesë ministrat e Drejtësisë.

“Dhe kjo përçon një mesazh edhe më të fortë anembanë botës te despotët dhe diktatorët kudo se ata mund të nxirren para drejtësisë, se ata do të japin llogari”, ka theksuar Raab.

Konferenca po organizohet bashkërisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda në mbështetje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe të hetimit të situatës në Ukrainë.

Ndërkohë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Putini duhet të arrestohet menjëherë.

“Nëse presidenti Putin udhëton në njërin prej më shumë se 130 shteteve, të cilat kanë nënshkruar këtë traktat ndërkombëtar, duhet të arrestohet menjëherë”, ka theksuar ai.

Por, Putini ka udhëtuar të shtunën mbrëma, sipas mediave ruse, në qytetin e pushtuar të Ukrainës, Mariupol, ku është pritur nga disa zyrtarë dhe qytetarë besnikë ndaj pushtimit rus të shtetit fqinj.

Përgatiti Blerta Haxhiu