Botë

Prodhimi i kokainës arrin nivel rekord, përmenden grupet ballkanike

Prodhimi global i kokainës ka arritur nivel rekord ndërsa kërkesat për të janë rikthyer pas bllokimit që kishte shkaktuar pandemia e COVID-19.

Sipas Zyrës së Organizatës të Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin, kultivimi i kokainës ka shënuar rritje prej 35 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, që thuhet është një nivel rekord.

Gjetjet tregojnë se trafikantë të rinj janë shfaqur në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Sipas raportit, trafikantët janë shpeshtuar ashtu si edhe përdorimi i shërbimeve postare ndërkombëtare për të dërguar drogën te konsumatorët.

Evropa dhe Amerika e Veriut janë tregjet më të mëdha të kokainës, pasuar nga Amerika Jugore dhe Qendrore dhe Karaibet.

Siç thotë raporti, tregjet në Afrikë dhe Azi ishin “ende të kufizuara”, por sipas OKB-së, potenciali për zgjerimin e tregut është një realitet i rrezikshëm.

Gjetjet tregojnë se rritja e prodhimit ishte rezultat i një zgjerimi në kultivimin e shkurreve të kokainës, si dhe përmirësimit të shndërrimit të saj në kokainë pluhur.

Raporti thekson se “të dhënat e krizave tregojnë se roli i Afrikës, veçanërisht i Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, si një zonë tranzite për kokainën në rrugën e saj drejt tregjeve në Evropë, është rritur ndjeshëm që nga viti 2019”.

Raporti thotë se shpërthimi i pandemisë COVID-19 pati një efekt në zvogëlimin e qarkullimit të kokainës në tregun ndërkombëtar.

Kërkesa për kokainë ra pasi klubet e natës dhe baret u mbyllën për shkak të bllokimit si pasojë e pandemisë.

“Megjithatë, të dhënat më të fundit sugjerojnë se kjo rënie ka pasur pak ndikim në trendin afatgjatë. Qarkullimi global i kokainës është në nivele rekord”, thuhet në raport.

Kolumbia mbizotëron rrugët e trafikimit ndonëse, thuhet se rrugët për në Evropë kanë evoluar.

Grupet kriminale meksikane dhe ballkanike kanë shkuar më pranë qendrës së prodhimit për të fituar qasje në furnizime.