Dështimi i Silicon Valley Bank me bazë në SHBA ka rindezur debate - të ngjashme me ato që u panë pas krizës financiare të vitit 2008 - rreth asaj se sa duhet të bëjë qeveria për të rregulluar dhe mbrojtur bankat. Edhe një herë njerëzit janë të shqetësuar për bankat. Edhe një herë ka një debat intensiv për paketat e shpëtimit. Por, ky nuk është viti 2008
Aksionet e bankave në Azi dhe Evropë kanë rënë, pavarësisht garancive nga presidenti amerikan se sistemi financiar i Amerikës është i sigurt pas falimentimit të dy huadhënësve amerikanë.
Falimentimi vjen pasi autoritetet morën hapa për të mbrojtur depozitat e klientëve kur falimentuan Silicon Valley Bank (SVB) dhe Signature Bank me bazë në SHBA.
Joe Biden premtoi se do të bëjë "çfarëdo që është e nevojshme" për të mbrojtur sistemin bankar.
Një varg bankash më të vogla amerikane pësuan humbje edhe më të këqija se homologët evropianë, pavarësisht se siguruan klientët se kishin më shumë se mjaftueshëm likuiditet për t'u mbrojtur nga goditjet.
Paqëndrueshmëria ka çuar në spekulime se Rezerva Federale e Amerikës tani do të ndalojë planet për të vazhduar rritjen e normave të interesit, të dizajnuara për të zbutur inflacionin.
Bideni tha se njerëzit dhe bizneset që kishin depozituar para në Silicon Valley Bank do të mund të kenë qasje në të gjitha paratë e tyre nga e hëna, pasi qeveria ndërhyri për të mbrojtur plotësisht depozitat e tyre.
Si u shemb Silicon Valley Bank?
Silicon Valley Bank – e specializuar në kreditimin e kompanive të teknologjisë – u mbyll nga rregullatorët amerikanë të cilët konfiskuan asetet e saj të premten. Ky ishte dështimi më i madh i një banke amerikane që nga kriza financiare në vitin 2008.
Ajo ishte përpjekur të mblidhte para për të mbyllur një humbje nga shitja e aseteve të prekura nga normat më të larta të interesit. Dalja e fjalës për problemet i bëri klientët të garojnë për të tërhequr fonde, duke çuar në një krizë të parave.
Bideni premtoi se mbulimi i depozitave nuk do t'u kushtonte asgjë taksapaguesve dhe në vend të kësaj do të financohej nga tarifat që rregullatorët u ngarkojnë bankave.
Megjithatë, ekziston shqetësimi se dështimet, të cilat erdhën pas rënies së një huadhënësi tjetër amerikan, Silvergate Bank, javën e kaluar, janë një shenjë e telasheve në firmat e tjera.
Pasojat politike
Dështimi i SVB-së ka rindezur debate - të ngjashme me ato që u panë pas krizës financiare të vitit 2008 - rreth asaj se sa duhet të bëjë qeveria për të rregulluar dhe mbrojtur bankat.
Bideni bëri thirrje për rregulla më të ashpra dhe theksoi se investitorët dhe drejtuesit e bankave nuk do të kursehen.
Megjithatë senatori republikan, Tim Scott, i parë si një kandidat i mundshëm presidencial në vitin 2024, e quajti shpëtimin "problematik".
Edhe një herë njerëzit janë të shqetësuar për bankat. Edhe një herë ka një debat intensiv për paketat e shpëtimit. Por ky nuk është viti 2008.
Pas krizës globale financiare, fokusi ishte në reformimin e bankave të konsideruara "shumë të mëdha për të falimentuar". Problemet e sotme janë të përqendruara rreth bankave të mesme dhe të vogla.
Të dyja bankat që falimentuan - Silicon Valley Bank dhe Signature Bank - kishin të njëjtën gjë të përbashkët: modelet e tyre të biznesit ishin shumë të përqendruara në një sektor dhe ato ishin tepër të ekspozuara ndaj aksioneve, vlerat e të cilave ishin nën presionin e rritjes së normave të interesit.
Meqenëse shumica e bankave janë të diversifikuara mirë dhe kanë shumë para në dorë, supozohet se rreziku për pjesën tjetër të sektorit bankar është i ulët. Kjo nuk do t'i ndalojë rregullatorët të shqyrtojnë se çfarë shkoi keq dhe cilat rregulla duhet të ndryshojnë.
Dhe presioni mbi bankat e vogla dhe të mesme nuk është larguar. Ajo që do të ndodhë me ekonominë amerikane dhe luftën kundër inflacionit gjithashtu mbetet për t'u parë.
Përktheu: Forca Jashari