Izraelitët kanë ashpërsuar protestat të mërkurën kundër planeve të Qeverisë për të reformuar sistemin gjyqësor.
Protestat e mëdha janë mbajtur në qytetet kryesore të Izraelit dhe organizuesit i kanë cilësuar si “dita kombëtare e tollovisë”.
Në Tel-Aviv protestuesit kanë bllokuar rrugët kryesore që lidhin qytetin me Jerusalemin, duke penguar trafikun për më shumë se një orë.
Policia ka tentuar të shpërndajë protestuesit që bënin thirrje për demokraci.
Dhjetëra prej tyre janë arrestuar pasi janë përplasur me policinë. Ndërkaq protesta kryesore është organizuar në Jerusalem.
Këto protesta kanë nisur pasi qeveria e Benjamin Netanyahut ka vazhduar me planin që ta votojë në Parlament ligjin që do të dobësonte Gjykatën Supreme.
Në protesta janë angazhuar edhe partitë opozitare, duke thelluar edhe më shumë krizën politike në Izrael.
Procedura ligjore ka nxitur trazira të mëdha nëpër Izrael për shkak se plani i Qeverisë po cenon demokracinë në shtetin e Lindjes së Mesme.