Në vitin që kur filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, Moska është goditur me sanksione të paprecedentë perëndimore dhe është shkëputur nga pjesa më e madhe e ekonomisë globale. Megjithatë, Kina ka thënë se miqësia e saj me Rusinë nuk ka “asnjë kufi”, shkruan Politico.
Kina “hodhi një litar shpëtimi ekonomik” për Rusinë dhe kështu zbuti pasojat e sanksioneve. Ekzistojnë tre mënyra kryesore në të cilat Kina ka mbështetur ekonominë ruse: duke blerë energji ruse, duke zëvendësuar furnizuesit perëndimorë dhe duke ofruar një alternativë ndaj dollarit amerikan.
Blerja e produkteve ruse të energjisë
Tregtia totale midis Kinës dhe Rusisë arriti një nivel të ri rekord në vitin 2022, duke u rritur 30 për qind në 190 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Doganës së Kinës.
Në veçanti, tregtia e produkteve energjetike është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës. Nga marsi në dhjetor, Kina bleu naftë bruto me vlerë 50.6 miliardë dollarë nga Rusia, që është 45 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet e qymyrit u rritën me 54 për qind në 10 miliardë dollarë. Blerjet e gazit natyror, duke përfshirë gazin e tubacionit dhe LNG, u rritën 155 për qind në 9.6 miliardë dollarë.
Zëvendësimi i furnitorëve perëndimorë
Rusia ka shpenzuar gjithashtu miliarda duke blerë makineri, elektronikë, metale bazë, automjete, anije dhe avionë nga Kina, siç detajohet në një raport nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit të SHBA majin e kaluar.
Markat kineze të veturave, duke përfshirë Havel, Chery dhe Geely, panë rritjen e pjesës së tyre të tregut nga 10 në 38 për qind në vitin pas largimit të markave perëndimore, sipas të dhënave më të fundit nga firma kërkimore ruse Autostat.
Në elektronikën e konsumit, markat kineze përbënin rreth 40 për qind të tregut të telefonave në fund të vitit 2021. Një vit më vonë, ato praktikisht morën industrinë me 95 për qind të tregut, sipas firmës së kërkimit të tregut Counterpoint.
Krijimi i një alternative për dollarin amerikan
Pasi disa bankave ruse iu ndërpre qasja në SWIFT, sistemi ndërkombëtar i mesazheve që mundëson transaksionet bankare, Moska e ndërroi dollarin me juanin kinez.
Kompanitë ruse po përdorin më shumë juanë për të lehtësuar rritjen e tregtisë me Kinën. Pjesa e juanit në tregun valutor të Rusisë është rritur në 48 për qind deri në nëntor 2022 nga më pak se 1 për qind në janar, sipas mediave ruse, duke cituar Bursën e Moskës.