Botë

20-vjeçarja ruse arrestohet për një postim kundër luftës në Ukrainë, rrezikon deri në 10 vjet burgim

Studentja 20-vjeçare ruse, Olesya Krivtsova, po qëndron në arrest shtëpiak. Ajo ka një etiketë elektronike në këmbë dhe çdo lëvizje e saj po monitorohet nga policia.

Olesya u arrestua për postime kundër luftës në llogarinë e saj në Instagram. Një prej tyre kishte të bënte me shpërtimin e tetorit të vitit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.

"Unë postova një story në Instagram për urën duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur”, ka thënë ajo për BBC-në.

Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën, pas së cilës filloi edhe përballja me autoritetet.

"Unë po flisja në telefon me nënën time kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme”, ka rrëfyer ajo.

Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.

"Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet. Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja. Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se ishte e çmendur”, ka thënë Olesya.

Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet.

Ajo ka treguar se shokët e saj studentë ishin ata të cilët e kanë raportuar.

"Një mik më tregoi një postim për mua në një bisedë për mënyrën se si isha kundër ‘operacionit special ushtarak’. Shumica e njerëzve në këtë bisedë ishin studentë të historisë. Ata po diskutonin nëse do të më denonconin tek autoritetet”, është shprehur ajo.