Ekipet e shpëtimit tani duhet t’i rrëzojnë edhe disa prej ndërtesave që qëndronin në këmbë, për shkak të frikës se mund të shemben më vonë. Pas shumë vjetësh luftë dhe tani shkatërrimit të madh nga tërmeti, çfarë do të ndodhë me ata ende nuk dihet
Syri sheh vetëm shkatërrim brenda Aleppos, qytetit sirian që veçse po përballej me efektet e luftës së gjatë civile para se të goditej nga tërmeti vdekjeprurës i së hënës. BBC-ja është një prej mediumeve të para ndërkombëtare që kanë raportuar nga qyteti i kontrolluar nga qeveria, në të cilin kanë vdekur më shumë se 400 njerëz.
Udhëtuam në pjesët e goditura nga tërmeti të premten, me lejen nga qeveria siriane.
Kur hymë në lagjet e dëmtuara, ishte e vështirë të dallohej shkatërrimi nga lufta e gjatë 12-vjeçare apo nga tërmeti i fuqishëm.
Pamë banorët që prisnin përreth gërmadhave, shumë prej tyre të mbuluar me batanije dhe xhaketa.
Në lagjen lindore të al-Shaarit, zhurma e gërmimeve kumbonte në sfondin e ndërtesave shumëkatëshe të bëra rrafsh me tokë.
“Njohim dikë që jetonte në katin e parë të asaj ndërtese... nuk kishte kohë të mjaftueshme për të pikur”, thotë një grua, duke bërë me gisht kah grumbulli i rrënojave.
“Ndërtesa u shemb kur ai ishte ende brenda. Ai vdiq së bashku me gruan dhe fëmijët”, thotë ajo.
Vetëm njëra prej vajzave të tij është nxjerr e gjallë nga rrënojat dhe është dërguar në spital.

Tërmeti ka sjellë më shumë mjerim në shtetin e përfshirë në krizë të thellë.
Numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe rebelët ka arritur në gati 4 mijë, ndërkaq 7 mijë të tjerë janë lënduar ose të pagjetur.
Pjesa më e madhe e Aleppos është shkatërruar nga lufta civile, e cila shpërtheu në vitin 2011 kur kryengritja paqësore kundër presidentit Bashar al-Assad u shndërrua në kryengritje të dhunshme.
Pavarësisht përpjekjeve për të rindërtuar një pjesë të ish-qendrës kosmopolitane, qyteti ende mban vragat e luftës mes qeverisë siriane të përkrahur nga Rusia dhe grupeve rebele.
Ekipet e shpëtimit tani duhet të rrëzojnë edhe disa prej ndërtesave që qëndronin në këmbë, për shkak të frikës se mund të shemben më vonë.
“Dy ndërtesa afër meje u shembën; secila përmbante nga 30 apartamente dhe në secilën prej tyre jetonin së paku pesë persona”, thotë një sirian.
“Nën rrënoja janë rreth 60 ose 70 persona; vetëm katër ose pesë prej tyre janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat”, shton ai.
Përpjekjet për shpëtim janë penguar nga paqëndrueshmëria e ndërtesave që kanë mbetur.
“Siç mund të shihni, ndërtesat ende po lëkunden teksa ne po punojmë për të shpëtuar njerëzit. Nuk mund ta bëjmë këtë sipas udhëzimeve ndërkombëtare të shëndetit dhe sigurisë. Kështu që kemi evakuuar krejt banorët”, thotë një zyrtar i ushtrisë.
“Ka numër të madh të njerëzve nëpër strehimore. Shumë prej tyre janë njerëz të evakuuar sepse ndërtesat e tyre nuk janë të sigurta”, shton ai.
Mijëra banorë nga zonat më të goditura nga tërmeti në Aleppo janë detyruar të shkojnë në strehimore.
Pas shumë vjetësh luftë dhe tani shkatërrimit të madh nga tërmeti, çfarë do të ndodhë me ata ende nuk dihet.
Përktheu: Gent Mehmeti