Fentanili është gjithnjë e më i pranishëm në Evropë. E para që “goditet” është Belgjika, si pika kryesore hyrëse e lëndëve narkotike që vijnë nga Amerika e Jugut.
“Fentanili është një kërcënim më i madh se heroina ose kokaina. Fentanili është - kokaina e së ardhmes”, paralajmëroi Christian Vanderwaeren, kreu i doganave belge, për “The Times”.
Vitin e kaluar, Belgjika sekuestroi një rekord prej 110 mijë kilogramësh kokainë në portin e Antwerpit, një sasi që tejkalon bindshëm dhjetë gramët e zbuluara të fentanilit. Por edhe vetëm tre miligramë fentanil, i cili është 50 herë më i fortë se heroina, mund të jetë një dozë vdekjeprurëse.
Një seri bastisjesh në të cilat sasi të vogla të fentanilit janë kapur në Evropë gjatë muajve të fundit po ngjallin frikën se droga është përhapur në Evropë dhe se kartelet meksikane po përpiqen të krijojnë një treg të ri.
“Me dhjetë gramë fentanil, mund të vrisni 3 mijë njerëz në Belgjikë”, paralajmëron Vincent van Quickenborne, ministri i Drejtësisë i Belgjikës, i cili jeton nën mbrojtjen e policisë pasi u zbulua një tentativë rrëmbimi vjeshtën e kaluar.
Ai shpjegon se kartelet meksikane Sinaloa dhe Jalisco vendosën që fentanili të shkonte në SHBA dhe kokaina në Evropë. Megjithatë, Quickenborne shqetësohet se këto kartele mund të përpiqen të krijojnë një treg të ri duke përzier fentanilin me kokainën, e cila mbetet droga me e përdorur në Evropë.
Fentanili është një analgjezik opioid sintetik jashtëzakonisht i fortë (kundër dhimbjeve), i cili është i ngjashëm me morfinën, por 50 deri në 100 herë më i fuqishëm. Është krijuar në vitin 1959 nga Pol Jansen, kimist belg dhe themelues i kompanisë “Jansen pharmaceuticals”.
Kjo drogë sintetike është bërë eksporti kryesor për kartelet meksikane të drogës vitet e fundit. Një ton heroinë është ekuivalente me vetëm 20 kilogramë fentanil dhe laboratorët meksikanë mund të prodhojnë qindra mijëra doza në javë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.