Policia turke njoftoi të martën se ka arrestuar katër persona pas mesazheve “provokuese” të postuara në rrjetet sociale për tërmetin e një dite më parë, me magnitudë 7.8 ballë, që goditi Turqinë juglindore.
Tërmeti, i ndjekur nga pasgoditje të fuqishme, la të vdekur më shumë se 5,000 njerëz në Turqi dhe Siri, duke lënë gjithashtu mijëra të lënduar dhe të pastrehë në të ftohtin e madh.
Katër personat u arrestuan pasi policia zbuloi llogari që shpërndanin "postime provokuese që synonin krijimin e frikës dhe panikut", tha policia në një deklaratë pa dhënë detaje për përmbajtjen e mesazheve.
Sipas saj, kërkimet më të gjera po vazhdojnë në rrjetet sociale.
Mediat sociale turke janë përmbytur me mesazhe nga njerëzit që ankohen për mungesën e përpjekjeve të shpëtimit dhe kërkimeve për viktima në zonat e tyre, veçanërisht në Hatay.
“Informacioni i adresës dhe vendndodhjes së qytetarëve që kërkojnë ndihmë verifikohet menjëherë dhe po bëhet koordinimi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Turqia miratoi një ligj për dezinformimin tetorin e kaluar, që dënon përhapjen e "lajmeve të rreme" me deri në tre vjet burgim.