Botë

SHBA-ja e Kina përplasen për balonën misterioze

Balonat janë një prej teknologjive më të vjetra të spiunimit. Ushtria japoneze i ka përdorur për të nisur bombardimin në Amerikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Balonat janë përdorur shumë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Së fundmi SHBA-ja ka menduar të shtojë balonat në rrjetin e mbikëqyrjes në distanca shumë të larta. Balonat moderne mund të qëndrojnë deri në 37 kilometra mbi sipërfaqen e tokës.

Balona që dyshohet se po përdorej për spiunim mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pajisje civile kineze, e cila kishte dalë nga rruga e planifikuar, ka bërë të ditur Kina të premten.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë deklaruar se balona, e cila po fluturonte mbi zonat e ndjeshme në ditët e fundit, në fakt ishte pajisje spiunimi për distanca shumë të larta.

Mirëpo në një komunikatë Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se balona po përdorej “kryesisht për qëllime meteorologjike”. Kina shpreh keqardhje për hyrjen e paautorizuar të balonës në hapësirën ajrore të SHBA-së, thuhet në komunikatën e ministrisë kineze.

Shteti i Montanas është shtëpi e disa fabrikave për raketat bërthamore të SHBA-së. Pentagoni ka vendosur që të mos e rrëzojë këtë balonë shkaku i rrezikut për njerëzit në tokë. Zbulimi i balonës ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës. Një zyrtar i lartë i Pentagonit ka thënë se SHBA-ja është shumë e bindur se balona është kineze dhe ka fluturuar mbi objekte të rëndësishme për të mbledhur informacione.

SHBA-ja ka kontaktuar zyrtarët kinezë nëpërmjet disa kanaleve diplomatike dhe ua ka komunikuar seriozitetin e kësaj çështjeje. SHBA-ja menjëherë ka ngritur në qiell aeroplanët F-22 që ishin të gatshëm për të shkatërruar balonën nëse do të urdhëroheshin nga Shtëpia e Bardhë, mirëpo Pentagoni është shprehur kundër për shkak se balona ndodhej mbi një zonë të populluar të Montanas.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë treguar madhësinë e balonës, por kanë thënë se ishte mjaftueshëm e madhe sa për t’u vërejtur edhe nga pilotët e aeroplanëve komercialë. Për më shumë se dy orë janë anuluar të gjitha fluturimet në Montana shkaku i balonës misterioze.

Ndërkaq Kina ka deklaruar se balona kishte dalë nga kontrolli shkaku i erërave të papritura.

“E ndikuar nga erërat dhe me kapacitete të kufizuara të manovrimit të saj, balona ka dalë nga kursi i planifikuar. Pala kineze shpreh keqardhje për hyrjen e paqëllimshme të pajisjes fluturuese në SHBA”, thuhej në komunikatë.

Pekini ka deklaruar se do të donte të vazhdonte komunikimin me palën amerikane.

Të premten Kanadaja ka thirrur ambasadorin kinez në lidhje me incidentin dhe do të vazhdonte të shprehte pozicionin e saj te zyrtarët kinezë.

Balona e cila është raportuar në mediat amerikane besohet se është e madhësisë sa tre autobusë.

Në njoftimet e së enjtes në Pentagon zyrtarët e mbrojtjes kanë refuzuar të tregojnë vendndodhjen e balonës dhe nuk kanë ofruar informacione se nga kishte ardhur.

Ata kanë shtuar se balona kishte qëndruar për periudhë më të gjatë sesa pajisjet e tjera fluturuese që janë identifikuar mbi SHBA në vitet e fundit.

“Dukej si UFO”

Balona befasoi banorët e Montanas që menjëherë shkrepën fotografi dhe i publikuan nëpër rrjetet sociale. Punëtori Chase Doak ka thënë për “Associated Press” dhe kishte vërejtur një rreth të bardhë në qiell dhe menjëherë kishte marrë kamerën për ta incizuar.

“Mendova se ishte UFO. Prandaj doja të sigurohesha që ta dokumentoja dhe shkrepa fotografi”, ka thënë ai.

Kina fillimisht kishte tërhequr vërejtjen për “fryrjen e çështjes” teksa po punonte për të verifikuar raportet e balonës. Ndërkaq media shtetërore e Kinës “Global Times” ka akuzuar SHBA-në për nxitje të tensioneve mes dy shteteve.

Me gjithë sqarimin e Kinës, incidenti me shumë gjasë do të ngrijë tensionet, pasi sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka anuluar vizitën në Kinë për javën e ardhshme. Pritej të ishte vizita e tij e parë e një zyrtari të lartë të administratës së Bidenit në shtetin kinez.

Kryediplomati amerikan pritej të ishte në Pekin për të biseduar për disa çështje, përfshirë sigurinë, Tajvanin dhe Covid-19.

Lajmet për balonën kineze që fluturonte mbi SHBA ka vënë në dyshim shumë zyrtarë se përse Pekini po përdorte një mjet kaq jo të sofistikuar për të spiunuar Amerikën.

Kapacitetet e balonës mbeten të paqarta, por ekspertët thonë se shërben më shumë si “sinjal” sesa si kërcënim.

“Pekini ndoshta po tenton të sinjalizojë Washingtonin se: ‘derisa dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet, ne gjithashtu jemi të gatshëm për konkurrencë, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme’, pa pasur nevojë të ngrihen tensionet”, ka thënë He Yuan Ming, ekspert i energjisë së ajrit.

Teknologji efektive

Balonat janë një prej teknologjive më të vjetra të spiunimit. Ushtria japoneze i ka përdorur për të nisur bombardimin në Amerikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Balonat janë përdorur shumë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Së fundmi SHBA-ja ka menduar të shtojë balonat në rrjetin e mbikëqyrjes në distanca shumë të larta. Balonat moderne mund të qëndrojnë deri në 37 kilometra mbi sipërfaqen e tokës.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes të enjten ka deklaruar se balona ishte shumë më lart sesa lartësia e zakonshme e trafikut ajror civil. Gjithashtu me bindje kishte deklaruar se balona i përkiste Kinës.

Mirëpo eksperti kinez, Benjamin Ho, ka thënë se Pekini ka të tjera teknologji të spiunimit.

“Kanë të gjitha mjetet për të spiunuar infrastrukturën amerikane apo për të marrë çfarëdo informacioni që dëshirojnë. Balona është dërguar për të sinjalizuar amerikanët, apo për të parë se si do të reagonin ndaj saj”, ka thënë Ho.

Sipas tij, Kina mund të ketë dashur që SHBA-ja ta vërente balonën.

“Është e mundshme që kapja e balonës ishte qëllimi kryesor. Kina mund të përdorë balonat për të demonstruar se ka teknologji të sofistikuara për të hyrë pa u vërejtur në SHBA dhe pa përkeqësim të situatës. Në këtë aspekt balona është mundësi ideale”, ka thënë Artur Holland Michel nga Këshilli për Etikë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se balonat mund të përshtaten në teknologjinë moderne siç janë kamerat spiune dhe sensorët e radarëve. Sipas tyre, balonat kushtojnë më lirë dhe janë më të lehtë për t’u përdorur sesa dronët apo satelitët.

Përgatiti: Gent Mehmeti