Botë

Talebanët arrestojnë profesorin që mbështeste arsimimin e grave

Një profesor universitar në Afganistani i cili e ka kritikuar hapur ndalimin që talebanët ia kanë bërë arsimimit të grave, është arrestuar në Kabul.

Profesori Ismail Mashal është arrestuar të enjten derisa po shpërndante libra falas, raportoi BBC-ja të premten.

Ai u bë i njohur pasi grisi të dhënat e tij akademike drejtëpërdrejt në televizion, në shenjë proteste kundër ndalimit që vendosën talebanët, për arsimin universitar dhe të mesëm për gratë dhe vajzat.

Mashal, 37 vjeç, është akuzuar për "veprime provokuese" nga talebanët.

Ai akuzohet se po përpiqet të dëmtojë qeverinë e talebanëve duke ftuar gazetarët të grumbullohen në një rrugë kryesore dhe të krijojnë "kaos", shkroi në Twitter, Abdul Haq Hammad, një zyrtar taleban nga Ministria e Informacionit dhe Kulturës.

Dëshmitarët okularë raportuan se profesori u godit me shuplakë, grushta dhe shkelma nga forcat e sigurisë talebane gjatë arrestimit, mirëpo Abdul Haq Hammad tha se profesori po trajtohej mirë gjatë kohës që ishte në paraburgim.

Një ish-gazetar, Mashal drejtonte një universitet privat në Kabul, i cili kishte 450 studente femra që studionin gazetari, inxhinieri, ekonomi dhe shkenca kompjuterike - të gjitha kurset që ministri i Arsimit të talebanëve tha se nuk duhet t'u mësohen grave sepse ato janë kundër Islamit dhe kulturës afgane.

Kur talebanët njoftuan në dhjetor se studentet gra të universitetit nuk do të lejoheshin më të studionin deri në njoftimin e mëtejshëm, Mashal mbylli shkollën e tij plotësisht, duke thënë se "arsimimi u ofrohet të gjithëve ose askujt".

Ai ka premtuar se nuk do të heshtë për këtë çështje, edhe nëse i kushton jetën.  Ai tha se ishte i sigurt se përfundimisht talebanët do të përpiqeshin ta mbyllnin atë - por mbeti i bindur se ishte një çmim që ia vlente të paguhej.