Izraeli dhe Sudani do të nënshkruajnë një “marrëveshje historike të paqes” në Washington brenda pak muajve, ka bërë të ditur të enjten ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, pas bisedimeve që janë zhvilluar në Khartoum.
Cohen ka thënë se teksti i marrëveshjes është finalizuar gjatë vizitës së tij njëditore në Sudan ku është takuar me liderin, Abdel Fattah al-Burhan, raportoi BBC-ja të enjten.
Sudani është pajtuar dy vjet më parë për t’i normalizuar raportet me Izraelin, por asnjëherë deri tani nuk ka pasur një marrëveshje për këtë.
Marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Washington do ta bëjë Sudanin shtetin më të ri të Ligës Arabe që krijon marrëdhënie të tilla.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku kanë normalizuar zyrtarisht marrëdhëniet me Izraelin që nga viti 2020, si pjesë e Marrëveshjes së Abrahamit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Historikisht, anëtarët e Ligës Arabe kishin refuzuar të njihnin Izraelin, një faktor në vazhdimësinë e konfliktit arabo-izraelit.
Egjipti u bë vendi i parë arab që nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1979, i ndjekur nga Jordania në vitin 1994.
Një marrëveshje me Sudanin ka një rëndësi të veçantë simbolike pasi Khartoum ishte vendi për një takim të Ligës Arabe në vitin 1967, ku anëtarët u zotuan të mos e njihnin Izraelin, pas luftës arabo-izraelite tre muaj më parë.
Ministria e Jashtme e Sudanit tha se Cohen dhe gjeneral-lejtnant Burhan kishin "diskutuar mjetet për vendosjen e marrëdhënieve të frytshme me Izraelin" dhe forcimin e bashkëpunimit në "bujqësinë, energjinë, shëndetin, ujin, fushat e arsimit- me theks të veçantë në fushat e sigurisë dhe ushtarake".
Ai nuk tha nëse një marrëveshje paqeje do të nënshkruhet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.