Botë

Suedia forcon ligjet kundër terrorizmit

Qeveria suedeze ka deklaruar se do të forcojë më tej ligjet e saj anti-terror për të ndaluar më shumë aktivitete të lidhura me grupet militante kurde, me shpresën për të bindur Ankaranë që të heqë kundërshtimet ndaj ofertës së Suedisë për anëtarësim në NATO, raportoi të enjten “Euronews”.

Stokholmi ka ndryshuar tashmë kushtetutën e tij në nëntor për t’i hapur rrugën ndryshimeve ligjore, të cilat kanë qenë në proces prej disa vitesh.

"Është një kriminalizim më i gjerë, duke synuar një numër të madh aktivitetesh brenda një organizate terroriste që nuk janë konkretisht të lidhura me një krim të caktuar terrorist", ka thënë ministri i Drejtësisë, Gunnar Stroemmer në një konferencë për shtyp.

Sipas projektligjit të ri, akte të tilla si trajtimi i pajisjeve, organizimi i tubimeve ose takimeve, menaxhimi i transportit për organizatat e përcaktuara si terroriste do të kriminalizohen.

Qeveria planifikon ta vërë projektligjin në votim në parlament në mars, për t'u zbatuar nga qershori.

Ndërkohë kryeministrja finlandeze, Sanna Marin ishte në Stokholm të enjten për një takim me homologun e saj suedez, Ulf Kristersson, në një tjetër paraqitje publike solidariteti midis kombeve nordike.

Marini u tha gazetarëve se Finlanda dëshironte të vazhdonte së bashku me Suedinë në procesin e pranimit dhe dukej e bindur se problemet me Turqinë do të kapërceheshin deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius në korrik.

"Është shumë e rëndësishme që të dërgojmë mesazh të qartë sot. Finlanda dhe Suedia aplikuan së bashku dhe është në interesin e të gjithëve që bashkë të vazhdojmë edhe më tej", tha Marini. “Nuk më pëlqen kjo pikëpamje ku Suedia paraqitet si fëmija i vështirë i klasës”, tha Marin, duke shtuar se Suedia tashmë i plotëson të gjitha kriteret e anëtarësimit për t'u anëtarësuar në NATO.

Nga 30 anëtarët e NATO-s, vetëm parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë nuk e kanë ratifikuar ende hyrjen për Suedinë dhe Finlandën, të cilat janë të shqetësuara për sigurinë e tyre pas pushtimit rus të Ukrainës.

Turqia ka kërkuar gjithnjë e më shumë veprime nga Suedia, veçanërisht kundër grupeve kurde të cilat i konsideron si "organizata terroriste", duke përfshirë anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupet aleate në Siri.