Botë

Putin: 80 vjet pas, po përballemi sërish me tanket gjermane

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka krahasuar luftën e Ukrainës me luftën kundër nazizmit gjerman, gjatë një fjalimi të enjten, ku u shënua 80-vjetori i përfundimit të Betejës së Stalingradit.

Duke folur rreth vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë, Putini ka thënë se historia po ripërsëritet, raportoi BBC-ja të enjten.

“Është e pabesueshme, por e vërtetë. Ne përsëri po kërcënohemi nga tanket gjermane Leopard”, ka thënë Putini.

Gjermania është një nga vendet e shumta që ndihmon Ukrainën të mbrojë territorin e saj.

Rusia nisi pushtimin e saj të përgjakshëm në shkallë të plotë pothuajse një vit më parë, duke nxitur vendet perëndimore të dërgojnë armë dhe ndihmë për qeverinë në Kiev. Duke folur në Volgograd - emri modern i Stalingradit, Putini la të kuptohet se ai mund të lëvizë përtej armëve konvencionale.

“Ata që shpresojnë të mposhtin Rusinë në fushën e betejës nuk e kuptojnë me sa duket, se një luftë moderne me Rusinë do të jetë shumë ndryshe për ta”, është shprehur lideri 70-vjeçar.

"Ne nuk po dërgojmë tanket tona në kufijtë e tyre, por kemi mjetet për t'u përgjigjur. Nuk do të kufizohemi në përdorimin e pajisjeve të blinduara. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë”, ka shtuar ai.

Putini ishte në Volgograd për të shënuar përvjetorin e përfundimit të Betejës së Stalingradit, konflikti vendimtar i Luftës së Dytë Botërore.

Mbi një milion njerëz vdiqën në betejë që ishte më e përgjakshmja e Luftës së Dytë Botërore.