Katër persona kanë marrë dënim të gjatë me burg pasi janë shpallur fajtorë se ishin bashkëpunëtorë në sulmin terrorist në Vjenë në nëntor të vitit 2020.
Kujtim Fejzulai kishte sulmuar në nëntorin e vitit 2020 në zonën e njohur si “Trekëndëshi i Bermudës”, duke qëlluar për vdekje katër persona e plagosur 23 tjerë.
Terrori i tij nëntëminutësh u ndalua kur ai u qëllua për vdekje nga policia.
Personat që u gjetën në gjykatë u akuzuan se e ndihmuan Kujtim Fejzulain para sulmit.
Dy të tjerë të moshave 22 dhe 23 vjet nuk u shpallën fajtorë si bashkëpunëtorë në vrasje, por u dënuan për shkelje me të vogla të lidhura me terrorizëm.
Kujtim Fejzulai atëbotë 20-vjeçar, që kishte shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë, ishte radikalizuar në Austri dhe kishte vuajtur 18 muaj burgim për tentim që t’i bashkohej ISIS-it. Pasi ishte liruar ai kreu sulmin më pas.
Si bashkëpunëtorë, Heydayatollah Z. (28), ADN-ja e të cilit u gjet në kallashnikovin e vrasësit dhe kishte jetuar në apartamentin e tij për disa javë, u dënua me burgim të përjetshëm.
Burak K. (24), q kishte vizituar vrasësin Kujtim Fejzulai disa orë para sulmit, është dënuar me 20 vjet burgim.
Adam M., që pranjoi se kishte ofruar armën për 500 euro, por ka mohuar se ishte në dijeni për planet e vrasësit, u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërsa Ishaq F. (22), që ishte në burg me Fejzulain dhe ishte në dijeni se kishte fantazi për sulmin, u dënua me 19 vjet burgim.
Të katër kanë të drejtë të apelojnë dënimet.
Dy të tjerë janë dënuar për pjesëmarrje në ISIS-i dhe përgatitje të materialeve propaganduese me nga dy vjet burgim, ndërsa tetë prej tyre duhet të vuajnë, e pjesën tjetër e kanë me kusht.
Më 2 nëntor të vitit 2020, Vjena u godit në zemër të saj, kur të shtënat e Kujtim Fejzulait nisën rreth orës 20:00.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.