Ushtari rus e pranon: Trupat tona torturuan ukrainasit

Pretendime për marrje brutale në pyetje, ku burrat ukrainas u gjuajtën dhe u kërcënuan me përdhunim, janë bërë nga një ish-ushtar rus.
Konstantin Yefremov, zyrtari më i lartë ushtarak që ka folur haptazi, i tha BBC-së në një intervistë ekskluzive se Rusia tani e sheh atë si tradhtar dhe dezertor.
Në një zonë në Ukrainë, ai ka thënë se “marrja në pyetje, tortura, vazhduan për një javë”.
“Çdo ditë, natën, nganjëherë dy herë në ditë”.
Yefremov tentoi të dorëhiqej nga ushtria disa herë – por përfundoi duke u pushuar për refuzimin për t’u kthyer në Ukrainë. Tani ai ka ikur nga Rusia.
Me dokumentet dhe fotografitë, është verifikuar se ai ka qenë në Ukrainë në fillim të luftës – në rajonin e Zaporizhzhias, përfshirë Melitopolin.
Më 10 shkurt 2022 Yefremov thotë se arriti në Krime. Ai ishte drejtues i njësisë së deminimit të Divizionit 42 të Pushkës. Ai dhe burrat e tij u dërguan për të marrë pjesë në “ushtrime ushtarake”, tha ai.
Ai pretendon se nuk donte asgjë nga ajo që kishte filluar të ndodhte në Ukrainë.
“Vendosa të jap dorëheqje. Shkova te komandanti dhe i shpjegova pozicionin tim. Më dërgoi te një zyrtar i lartë i cili më quajti tradhtar dhe frikacak. E lash armën time, hipa në taksi dhe ika. Më pas shokët më telefonuan me një paralajmërim. Një kolonel kishte dhënë premtimin se do të më fuste në burg për 10 vjet për dezertim dhe ai kishte alarmuar policinë”.
Yefremov tregoi se e telefonoi një avokat ushtarak i cili e këshilloi të kthehej.
“E kuptova se duhet ta injoroja dhe të vazhdoja drejt”.
Ai insiston se është kundër luftës. Yefremov jep siguri se nuk ka marrë pjesë në aneksimin e Krimesë dhe në lindje të Ukrainës kur lufta fillimisht shpërtheu në Donbas 9 vjet më parë.
Grupi i Yefremovit shkoi për të bërë rojë në atë që ai e quan “shtab logjistik” në prill në Melitopol. Aty thotë se dëshmoi keqtrajtime të të burgosurve ukrainas.
Ai kujton një ditë kur tre të burgosur u sollën aty.
“Njëri nga ta pranoi se ishte snajperist. Kur dëgjoi këtë, koloneli rus humbi mendjen. E goditi, ia tërhoqi poshtë pantallonat ukrainasit dhe e pyeti nëse ishte i martuar. ‘Po’, u përgjigj i burgosuri. ‘Atëherë dikush më sillni një shkop fshese’, tha koloneli. ‘Do të të kthejmë në një vajzë dhe do t’ia dërgojmë videon gruas tënde’”.
Një herë tjetër, kujtoi Yefremov, koloneli pyeti të burgosurin për emrat e të gjithë nacionalistëve ukrainas në njësinë e tij.
“Ukrainasi nuk e kuptoi pyetjen. Ai u përgjigj se ushtarët ishin këmbësori e forcave të armatosura të Ukrainës. Për këtë përgjigje ata ia shkulën disa dhëmbë”.
Yefremov përshkroi se si koloneli kishte dhënë urdhra që ukrainasve të mos u jepej ushqim normal. Por, vazhdoi ai, “ne tentuam t’u jepnim çaj të ngrohtë dhe cigare”.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar raste të keqtrajtimit të të burgosurve në luftën në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, kemi gjetur se ka torturë dhe keqtrajtim të të burgosurve të luftës nga të dyja palët”.
Kur Yefremov u rikthye në njësinë e deminimit, ai thotë se u kërcënua dhe se ushtarët e tjerë vazhdimisht e quanin frikacak dhe tradhtar.
Tani ai pyet veten se si po tregohen trushpëlarë ushtarët rusë të cilët dëgjojnë çdo fjalë të presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërsa në fund, Yefremov i kërkon falje njerëzve të Ukrainës.
“I kërkoj faje popullit ukrainas që u kemi shuar në shtëpi si mysafir i paftuar me armë në duar. Nuk e kam as të drejtën morale t’u kërkoj të më falin. Nuk mund ta fal veten, kështu që s’mund të presë që ata të më falin mua”.
© KOHA.