Qeveria suedeze duhet “të veprojë ndryshe” nëse do që ta marrë mbështetjen e Turqisë për t’u anëtarësuar në NATO, ka thënë ministri i Jashtëm i Hungarisë, duke shtuar se djegiet e fundit të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm janë “të papranueshme”.
Peter Szijjarto foli pas takimit me homologun turk, Mevlut Cavusoglu. Të dy diplomatët adresuan protestën anti-turke të 21 janarit që nxiti tensionet mes Ankarasë dhe Stokholmit ndërsa Suedia kërkon aprovimin e Turqisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, raportoi AP.
“Si i krishterë duhet të them se djegia e një libri të shenjtë të një feje tjetër është një veprim i papranueshëm”, ka thënë ai.
Takimi në Budapest erdhi pasi Turqia dhe Hungaria janë dy anëtaret e vetme të NATO-s që nuk kanë aprovuar aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për tu bërë pjesë e aleancës ushtarake.
Vota unanime e 30 anëtareve të NATO-s është e domosdoshme për pranimin e shteteve të reja.
Cavusoglu ka thënë se Turqia ndan dëshirën e njëjtë me Hungarinë për zgjerimin e NATO-s, por se tani “është e pamundur për ne të konfirmojmë pranimin e Suedisë”. Ai e quajti djegien e Kuranit “provokim i cili nuk na shpie askund, vetëm në kaos”.