Botë

Britania e Madhe shënon përvjetorin e tretë të Brexit-it

Foto: AP

Britania ka shënuar përvjetorin e tretë të shkëputjes së saj historike me Bashkimin Evropian, të njohur si Brexit, raportoi të martën Euronews.

E prekur nga një krizë e rëndë e kostos së jetesës, për Britaninë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ofron parashikime të zymta për perspektivën ekonomike.

Sipas parashikimit të saj të fundit, Britania do të jetë e vetmja ekonomi e madhe që do të pësojë një recesion këtë vit, me ekonominë e saj që pritet të tkurret me 0.6 për qind.

Britania ka luftuar për muaj me radhë me inflacionin që kalon 10 për qind, duke nxitur trazira historike industriale.

Tre kryeministra pasuan njëri-tjetrin vitin e kaluar dhe Irlanda e Veriut është e paralizuar politikisht, ndërsa Londra përpiqet të bindë Brukselin që të rishqyrtojë statusin e saj pas Brexit-it.

Pavarësisht premtimeve për kontroll kufitar dhe planeve të njëpasnjëshme kundër imigracionit, kalimet ilegale të Kanalit po rriten vazhdimisht.

Sipas një sondazhi të Ipsos të publikuar të hënën, 45% e britanikëve besojnë se Brexit po shkon më pak mirë se sa pritej – krahasuar me vetëm 28% në qershor 2021. Ndërsa 9% mendojnë të kundërtën.

Edhe pse pandemia COVID dhe lufta në Ukrainë e kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën, ka prova të konsiderueshme që Brexiti ka dëmtuar ekonominë.

Sipas organit publik të parashikimit të buxhetit OBR, largimi nga BE-ja do të zvogëlojë madhësinë e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar me rreth 4% në terma afatgjatë. Megjithatë, ka pak oreks politik për t'u rikthyer.