Kanadaja do të dërgojë katër tanke Leopard 2 në Ukrainë, njoftoi të enjten ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand.
“Kanadaja do të furnizojë Ukrainën me katër tanke kryesore luftarake Leopard 2 në javët e ardhshme. Ky donacion, i kombinuar me kontributet e aleatëve dhe partnerëve, do të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme Forcat e Armatosura të Ukrainës ndërsa luftojnë heroikisht për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e kombit të tyre. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë nevojë për pajisje”, ka thënë Anand.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se tanket do t'u ofrojnë ushtarëve një avantazh taktik për shkak të "lëvizshmërisë së tyre të shkëlqyer, fuqisë së zjarrit dhe mbijetesës" dhe se ato do të lejojnë Ukrainën të rimarrë edhe më shumë nga territori i saj.
Tanket janë të gatshme për luftim dhe do të vendosen gjatë javëve të ardhshme, bëri të ditur Anand.
Një numër anëtarësh të Forcave të Armatosura Kanadeze do të vendosen për të trajnuar ushtarët ukrainas me aftësitë që u nevojiten për të përdorur pajisjet, shtoi ajo.
Gjermania ka marrë vendim të mërkurën që të dërgojë në Ukrainë tanket e saj Leopard 2, e po ashtu ka miratuar eksportimin e tyre nga shtetet e tjera të cilat i posedojnë ato.
Edhe SHBA-ja ka vendosur që t’i dërgojë në Ukrainë disa tanke të saj M1 Abrams.