Nëntë palestinezë janë vrarë gjatë një sulmi ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, i cili nga zyrtarët palestinezë është konsideruar si më vdekjeprurësi ndër vite, raportoi të enjten BBC-ja.
Sipas raportimeve, një grua e moshës 60-vjeçare është në mesin e të vdekurve, në qytetin e Jeninit.
Ushtria izraelite tha se trupat e saj hynë për të arrestuar militantët e Xhihadit Islamik që planifikonin "sulme të mëdha".
Presidenca palestineze akuzoi Izraelin për masakër në Jenin, dhe sipas saj, ka qenë skenë e bastisjeve të përsëritura muajt e fundit.
Inkursionet janë pjesë e asaj që ushtria izraelite e përshkruan si ofensivë anti-terroriste, e cila filloi prillin e kaluar.
Ministria palestineze e Shëndetësisë identifikoi tre nga të vrarët si Magda Obaid, 60 vjeç, Saeb Izreiqi, 24 vjeç dhe Izzidin Salahat, 26 vjeç. Sipas kësaj ministrie, 20 persona kanë mbetur të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se trupat e saj hynë në Jenin për të arrestuar një "grup terrorist të Xhihadit Islamik", të cilin e akuzoi se ishte i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve të shumta terroriste ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë.
Sipas IDF-së, forcat rrethuan një ndërtesë dhe “tre të dyshuar të armatosur u neutralizuan pasi hapën zjarr”, ndërsa i dyshuari i katërt u dorëzua.
Të paktën 29 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor deri më tani këtë vit, duke përfshirë militantë dhe civilë, ndërsa ushtria vazhdon operacionet atje.
Vitin e kaluar në Bregun Perëndimor u vranë më shumë se 150 palestinezë, pothuajse të gjithë nga forcat izraelite. Të vdekurit përfshinin civilë të paarmatosur, militantë të armatosur dhe sulmues të armatosur.