Disa plazhe të njohura në Sidney janë mbyllur pasi peshkaqenët sulmuan një delfin në ujërat afër qytetit.
Të paktën dy peshkaqenë u vunë re pas sulmit në zonën Shelly Beach, në veri të Sidneyt, dhe autoritetet mbyllën të gjitha plazhet aty pranë si masë paraprake, raportoi BBC-ja të shtunën.
Delfini i cili pësoi lëndime të rënda nga kafshimi ngordhi pas pak kohësh.
“Manly Open Surf”, një karnaval që po zhvillohet në plazh gjatë fundjavës, është pezulluar gjithashtu.
Rojet e shpëtimit larguan njerëzit nga uji pas sulmit, i cili ndodhi rreth orës 07:00 me orën lokale të së shtunës.
Tracey Hare-Boyd, një zëdhënëse nga “Surf Life Saving New South Wales” (SLSNSW), tha se, për fat, asnjë person nuk ishte lënduar apo përfshirë në sulm.
Plazhet nga Shelly Beach në Queenscliff Beach mbeten të mbyllura dhe njerëzve u është kërkuar të jenë vigjilentë dhe të ndjekin këshillat e sigurisë së peshkaqenëve.
Vdekjet njerëzore nga sulmet e peshkaqenëve janë të rralla në Sidney, me vetëm dy në 60 vitet e fundit.
Shkurtin e kaluar, notari britanik Simon Nellist vdiq në sulmin e parë fatal të qytetit nga një peshkaqen në 59 vjet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.