Një delegacion i përbërë nga gratë kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka udhëtuar të mërkurën për në Kabul për herë të parë që kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Ky udhëtim i tyre për në Afganistan është bërë në kohën kur ky vend po i ndalon gratë që të ndjekin mësime në universitet e shkolla të mesme, por janë ndaluar edhe të punojnë.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së dërgoi zëvendësen e tij, Amina Mohammad, gruan më të vjetër të OKB-së, me një ekip që përfshin gjithashtu kryetaren e UN Women, Sima Bahous.
Ato janë ngarkuar të flasin me liderët e lartë talebanë në nivelin më të lartë të mundshëm sa i përket kufizimeve, duke përfshirë një ndalim të ri për punonjëset e ndihmave femra , që tani shihet se rrezikon operacionet urgjente humanitare për shpëtimin e jetës.
"Njerëzit po ngrijnë dhe koha po mbaron. Duhet të ndërtojmë strehimore tani, por, në këtë shoqëri konservatore, nëse nuk kemi punonjëse të ndihmës femra për të folur me gratë në familje, nuk mund ta bëjmë këtë punë”, ka thënë Ramiz Alakbarov, koordinator humanitar i OKB-së në Afganistan.
Që kur talebanët kanë marrë qeverisjen e vendit, ka pasur edhe kritika të shpeshta që delegacionet e huaja dërgojnë ekipe vetëm për burra, të cilat përforcojnë pikëpamjet konservatore të talebanëve për botën e tyre.
Udhëheqësit talebanë thonë se kushtet në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit dhe traditave konservatore të Afganistanit duhet së pari të përgatiten.
Ministria e Shëndetësisë tani ka sqaruar se gratë mund të punojnë në sektorin e shëndetësisë ku gratë mjeke dhe infermiere janë thelbësore. Kjo ka shkaktuar rifillimin e disa programeve jetike shëndetësore.
"Derisa shumica e programeve tona mbeten pezull, ne po rifillojmë disa aktivitete - të tilla si shëndetësia, ushqimi dhe disa shërbime arsimore - ku kemi marrë garanci të qarta dhe të besueshme nga autoritetet përkatëse se stafi ynë femër do të jetë i sigurt dhe mund të punojë pa pengesa”, njoftoi Save the Children në një deklaratë këtë javë.
Kjo vizitë e OKB-së, në këtë kohë po cilësohet sinjal i rëndësishëm për shumë afganë dhe aleatët e tyre, të cilët mendojnë se pjesa më e madhe e botës duket se kanë harruar një vend ku dikur kanë investuar kaq shumë angazhim dhe para.