Avokatët e një profesoreshe kanë thënë se ajo po padit universitetin e Minnesotas për largimin nga puna pasi një student mysliman kundërshtoi paraqitjen e profetit Muhamed në kursin e artit, ndërkohë që universiteti pranoi se kishte bërë gabim dhe planifikon të mbajë diskutim publik për lirinë akademike.
Në padi, Erika Lopez Prater, pretendon se Universiteti Hamline e ka bërë cak të diskriminimit fetar dhe shpifjes dhe se ka dëmtuar reputacionin e saj profesional e personal, raportoi AP.
Në tetorin e kaluar, Lopez Prater shfaqi një pikturë të shekullit të 14-të të përshkrimit të profetit gjatë një ore mësimi të artit islam. Për shumë myslimanë, përshkrimet vizuale të profetit Muhamed shkelin besimin e tyre, të cilën Lopez Prater e dinte.
Sipas padisë, në përshkrimin e punës së profesoreshës përfshihej një paralajmërim se studentët do të shihnin imazhe të figurave fetare. Po ashtu shënohej oferta për të punuar me studentë që ndiheshin parehatshëm me shikimin e këtyre imazheve.
Ajo po ashtu e paralajmëroi klasën para se ta tregonte përshkrimin e profetit. Ajo ka thënë se qëllimi ishte që t’ua mësonte studentëve diversitetin e pasur të qëndrimeve mbi imazhet e tilla.
Lopez Prater ka shtuar se udhëheqësia e universitetit e dinin për këtë, por pas ankesës së studentëve asaj iu tha se “shërbimet e saj nuk ishin më të nevojshme”.