Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny, është zotuar se do të vazhdojë kundërshtimin e tij ndaj qeverisë ruse në përvjetorin e dytë të burgosjes së tij, raportoi të martën “Euronews”.
46-vjeçari është arrestuar dy vjet më parë, duke u kthyer në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për helmim nga një agjent nervor vdekjeprurës i epokës sovjetike.
Navalny, bashkë me disa vende perëndimore, pretendon se ishte një atentat i dështuar nga shteti rus, ndërsa Moska zyrtare e mohon përfshirjen.
“Mëmëdheu ynë i mjerë dhe i rraskapitur duhet të shpëtohet”, shkroi Navalny në Twitter përmes avokatëve të tij. "Ai është plaçkitur, plagosur, është tërhequr zvarrë në një luftë agresive dhe është kthyer në një burg. Çdo kundërshtim ndaj kësaj bande, qoftë edhe simbolik në kapacitetin tim të kufizuar aktual, është i rëndësishëm. Unë nuk do t'ua dorëzoj vendin tim atyre dhe besoj se errësira përfundimisht do të shuhet”, ka shkruar ai më tej.
Miqtë dhe aleatët e Navalnyt, një avokat dhe aktivist kundër korrupsionit, kanë bërë fushatë për lirimin e tij nga një burg i sigurisë së lartë në Rusi.
Javën e kaluar, gruaja e tij i bëri thirrje personelit të burgut që t'i siguronte ilaçet bazë, ndërsa mbështetësit e tij paralajmëruan se jeta e tij ishte në rrezik.
Alexei Melnikov, një anëtar i një ekipi zyrtar monitorues të burgjeve ruse, vizitoi Navalnyn dhe tha se shëndeti i tij nuk ishte në rrezik, raportoi të martën agjencia e lajmeve TASS.
"Ne folëm me të për më shumë se dy orë - mund të them se për momentin asgjë nuk kërcënon shëndetin e tij. Më parë, Navalny kishte simptoma të ftohjes, por ai u trajtua", citoi gazeta shtetërore ruse të thoshte Melnikov.
Avokati i kthyer në aktivist u dënua me 11 vjet e gjysmë burg në dy raste të veçanta mashtrimi.
Amnesty International e përshkroi gjyqin si një "mashtrim", ndërsa vetë Navalny tha se akuzat ishin të sajuara për t'i mbyllur gojën atij. Organizata e tij kundër korrupsionit është ndaluar si ekstremiste.
© KOHA.