Departamenti amerikan i Drejtësisë po shqyrton dokumentet potencialisht të klasifikuara të gjetura në zyrën e mëparshme të presidentit, Joe Biden në një institut kërkimor, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Rreth 10 prej dosjeve u zbuluan në një dollap të mbyllur në Qendrën "Penn Biden" në Washington në nëntor, nga ekipi ligjor i Bidenit, ka thënë avokati i tij, raportoi BBC-ja të martën.
Grupi i dokumenteve i është dorëzuar Arkivit Kombëtar.
Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, po përballet me një hetim për marrjen e dosjeve të klasifikuara në Florida pas presidencës së tij.
Sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, FBI-ja është përfshirë në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në Qendrën "Penn Biden" dhe prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Merrick Garland i është kërkuar të shqyrtojë dokumentet.
Një burim i njohur me çështjen i tha CBS News se grupi i dokumenteve nuk përmbante sekrete bërthamore dhe ishte vendosur në një dosje në një kuti me dokumente të tjera të paklasifikuara.
Richard Sauber, këshilltar i posaçëm i presidentit Biden, tha në një deklaratë për CBS të hënën se dosjet u zbuluan pak para zgjedhjeve afatmesme nga avokatët e Bidenit që po pastronin hapësirën e zyrës. Bideni mbajti një zyrë në institutin e mendimit, i cili është disa kilometra nga Shtëpia e Bardhë, nga viti 2017 deri në vitin 2020.
Trumpi reagoi të hënën në faqen e tij të mediave sociale, "Truth Social", duke pyetur se kur do t’i bastiste FBI-ja shtëpitë e shumta të Bidenit apo ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi është nën hetim për gjoja rezistimin ndaj kërkesave për të kthyer rreth 300 dokumente të klasifikuara që ai mori në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, pasi la postin.
Dosjet e Bidenit u zbuluan pak përpara se departamenti i drejtësisë të njoftonte se do të caktonte një avokat të pavarur për të vendosur nëse do ta akuzonte penalisht Trumpin për dosjet e gjetura në klubin e tij të golfit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.