Inflacion i lartë, ngrirje e fondeve evropiane dhe izolim për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Moskën – kryeministri hungarez Viktor Orban po kalon një provë të madhe.
Si do të përpiqet ta kapërcejë krizën?
Kryeministri hungarez Viktor Orban tashmë i ka mbijetuar shumë krizave që kërcënuan fuqinë e tij, të brendshme dhe të jashtme, ekonomike dhe sociale. Por tani Orbani po përballet me sfidën më të madhe të 13 vjetëve të tij në pushtet. Prandaj, viti 2023 mund të jetë një vit fatal për një politikan, emri i të cilit lidhet me ngritjen e të ashtuquajturës “demokraci joliberale” në Evropë.
Hungaria po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike që nga kriza financiare e vitit 2008, kur pothuajse falimentoi.
Monedha kombëtare, forinta, ka humbur ndjeshëm vlerën e saj muajt e fundit dhe inflacioni mbi 20 për qind po e hedh gjithnjë e më shumë në mjerim popullin. Kufiri i çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve deri më tani ka ndihmuar pak dhe ka rezultuar në mungesa për herë të parë që nga fundi i socializmit.
Pikërisht në këtë situatë të vështirë, BE-ja anuloi një pjesë të madhe të miliarda eurove subvencione për Hungarinë për shkak të mangësive në fushën e sundimit të ligjit. Dhe anulimet e mëtejshme janë të pashmangshme - deri në anulimin e plotë të të gjitha pagesave nga Brukseli. Për më tepër, qeveria e Orbanit është më e izoluar se kurrë për shkak të qëndrimit të saj pro-rus.
“Në fakt, qeveria e Orbanit nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq të vështirë sa është tani”, ka thënë për DW politologu Peter Kreko nga instituti i majtë liberal i Budapestit. “Mund ta shihni nga sondazhet, sipas të cilave pakënaqësitë sa vijnë e shtohen, apo nga protestat e pedagogëve që vijojnë prej muajsh”, ka thënë Kreko.
“Orbani dhe qeveria e tij janë ende shumë të suksesshëm në zhvendosjen e fajit për krizat te akterët e jashtëm, si BE ose miliarderi George Soros. Orbani dhe partia e tij Fidesz kanë një elektorat shumë të qëndrueshëm dhe kanë krijuar politikën më të centralizuar. E gjithë kjo do të thotë se ka një shans të mirë që qeveria hungareze t'i mbijetojë kësaj krize”, ka shtuar Kreko.