Duket se të gjitha rrugët e arsimimit formal për gratë po mbyllen. Kjo bëri që disa gra të guxojnë të protestojnë në rrugët e Kabulit - akt i rrezikshëm, duke pasur parasysh të dhënat e talebanëve për ndalimin e protestave. Demonstratat e vogla u shtypën shpejt nga zyrtarët talebanë. Megjithatë, afganet janë të vendosura të luftojnë për shkollim
Është një urdhër që vajzat dhe gratë në të gjithë Afganistanin e kishin frikë që kur u kthyen talebanët. Javën e kaluar vajzat me hixhab u kthyen në kampuset e tyre universitare për t'u bllokuar dhe larguar nga rojat talebane.
Pamjet tregojnë grupe që qajnë teksa i largojnë nga aty.
Pas përjashtimit të vajzave nga shumica e shkollave të mesme gjatë 16 muajve të fundit, talebanët ndaluan gjithashtu arsimimin universitar për gratë.
“Ata kanë shkatërruar urën e vetme që mund të më lidhë me të ardhmen time”, ka thënë një studente e Universitetit të Kabulit.
“Si mund të reagoj? Unë besoja se mund të studioja dhe të ndryshoja të ardhmen time ose të sillja dritën në jetën time, por ata e shkatërruan atë”.
Autoritetet lëshuan urdhrin të martën - dhe të nesërmen vende të tjera mësimi, duke përfshirë shkollat fetare islame dhe kolegjet private të shkollimit në disa provinca, po zbatonin gjithashtu vendimin.

Burime nga tri provinca - Takhar në veri, Ghazni në juglindje dhe kryeqyteti Kabul - konfirmuan për BBC-në se talebanët i kishin ndaluar vajzat të ndiqnin qendrat arsimore private atje.
Duket se të gjitha rrugët e edukimit formal për gratë po mbyllen.
Kjo bëri që disa gra të guxojnë të protestojnë në rrugët e Kabulit - akt i rrezikshëm, duke pasur parasysh të dhënat e talebanëve për ndalimin e protestuesve. Demonstratat e vogla u mbyllën shpejt nga zyrtarët talebanë.
Ky brez kishte menduar se ishin me fat –ndryshe nga qasja në arsim që u ishte ndaluar nënave, motrave dhe kushërirave të tyre.
Në vend të kësaj, ato po shohin të ardhmen e tyre të shkërmoqet.
Shpresat e humbura
Talebanët, të cilët filluan si grup militant islamik i linjës së ashpër, kishin premtuar se do t’i respektonin të drejtat e grave kur erdhën përsëri në pushtet në gusht të vitit të kaluar - pas tmerreve të sundimit të tyre të mëparshëm nga vitet 1996-2001, kur gratë nuk mund të punonin apo studionin.
Por dekreti i tyre i fundit përsëri heq çdo liri dhe të drejta të pakta që u ishin dhënë grave pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja u tërhoqën nga Afganistani dhe talebanët u kthyen.
Megjithatë, vetëm tre muaj më parë, talebanët kishin pranuar të lejonin që provimet e pranimit në universitet të vazhdonin.
Mijëra vajza dhe gra iu nënshtruan testeve në provincat në të gjithë vendin. Shumë kishin studiuar në fshehtësi - në shtëpi ose rrezikonin të shkonin në kolegje të fshehta tutoriale të ngritura për vajza.
Rreziku ishte gjithmonë i pranishëm. Gjatë disa provimeve, bombarduesit sulmuan shkollat, duke vrarë nxënës.
Por prapë, të rejat këmbëngulën.
Edhe kur talebanët në nëntor sollën kufizime të reja - duke i ndaluar vajzat nga kurset si ekonomia, inxhinieria dhe gazetaria - ato vazhduan të përpiqeshin dhe shumë prej tyre aplikonin për mësimdhënie dhe mjekësi.
Siç tha një studente tjetër për BBC: “Pse duhet të jemi gjithmonë viktimë? Afganistani është vend i varfër. Por gratë në këtë vend e kanë pranuar varfërinë krahas çdo problemi tjetër dhe ende duhet të vuajnë”.
Shkollimi i vajzave ka qenë prej kohësh pikë grindjeje midis fraksioneve konservatore dhe më të moderuara ndër talebanë.
Ndalimi i universitetit tani tregon një fitore për më shumë fundamentalistë të talebanëve, udhëheqësi suprem i të cilëve, Hibatullah Akhundzada, beson se arsimi modern - veçanërisht për gratë dhe vajzat - është i gabuar në mësimet islame.
Megjithatë, jo të gjithë në lëvizjen në pushtet mendojnë si ai - dhe kishte raporte që zyrtarë më të moderuar në qytete si Kabuli kishin kërkuar që vajzat mbi moshën 12 vjeçe të shkonin në shkolla.
Siç kanë paralajmëruar avokatët e të drejtave, vendimi ka një ndikim në të ardhmen e të gjithë vendit. “Asnjë vend nuk mund të lulëzojë kur gjysma e popullsisë së tij frenohet”, ka paralajmëruar sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Vendet perëndimore kishin këmbëngulur në arsimimin e grave si kusht që talebanët do të duhej të plotësonin nëse dëshironin njohje globale. Megjithatë, talebanët i kanë injoruar kritikat deri më tani.
Për familjet afgane, si në vend ashtu edhe në mbarë botën, duke parë se e ardhmja e vajzave të tyre rrëshqet përsëri në “epokat e errëta”, ka ndezur frikë dhe zemërim.
Lajmi për ndalimin e universitetit bëri që disa aktiviste afgane të postonin histori të ditëve të tyre të diplomimit në universitet - me kapele dhe fustan.
Rezultati kundër talebanëve që kur morën sërish pushtetin nuk ka qenë i mjaftueshëm, thonë ata.
Dhe është pjesë e një vale në rritje të kufizimeve në jetën e përditshme të grave në javët e fundit. Në nëntor, grave në Kabul iu ndalua gjithashtu të hyjnë në vende publike si parqe dhe palestra. Gratë po kufizohen gjithnjë e më shumë në shtëpitë e tyre në politika të barabarta me burgim, ka njoftuar OKB-ja.

Veprimet nuk janë islamike
Për një studente juridiku, rruga e saj e arsimit të lartë duket se ka mbaruar tani. Mandati i saj universitar kishte përfunduar për pushimet dimërore dhe nuk do të rifillonte deri në mars.
Por tani ajo nuk lejohet të kthehet në kampus - ajo ka “humbur gjithçka”. Si studiuese e Ligjit të Sheriatit, ka thënë se po përpiqej ta kuptonte atë sipas mësimeve islame.
“Talebanët kanë marrë të drejtat që islami dhe Allahu na kanë dhënë neve”, ka theksuar ajo.
“Ata duhet të shkojnë në vendet e tjera islame dhe të shohin se veprimet e tyre nuk janë islame. Sipas asaj që ata thonë, ky është Sheriat. Por pse ata duan ta praktikojnë atë vetëm për gratë? Pse nuk e zbatojnë atë edhe për burrat?”.
Studiues të tjerë fetarë mbështesin mendimin e saj. Nawida Khurasani, një nga femrat e pakta studiuese fetare afgane, thotë se dekreti kundërshton vlerat islame. “Nuk ka vend në islam - sepse islami i urdhëron burrat dhe gratë të arsimohen”, ka sqaruar zonja Nawida, e cila tani jeton në Kanada.
Një tjetër studiues fetar me të cilin ka folur BBC-ja, imam që jetonte brenda Afganistanit - ra dakord që edhe burrat edhe gratë duhet të jenë në gjendje të arsimohen në islam.
Megjithatë, për shumë vëzhgues të Afganistanit - nuk ka kuptim të përpiqen të shpjegojnë veprimet e talebanëve sipas mësimeve të supozuara islame. Ata thonë se ndalimi i universitetit është vetëm një vazhdim i synimeve të lëvizjes për të shtypur plotësisht gratë dhe për të fshirë liritë që ata kishin pasur në vitet midis periudhave të sundimit taleban.
Mbyllja e derës për arsimin universitar është që talebanët kompletojnë kontrollin e tyre mbi gratë.
“Afganistani nuk është vend për gratë, por kafaz për gratë”, ka theksuar akademikja dhe aktivistja afgane, Humaira Qaderi, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka mbetur asnjë jetë shoqërore për gratë afgane. Rrugët tani dominohen nga burrat.
“Kjo ishte gjëja e fundit që mund të bënin talebanët. Dhe e bënë këtë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu