Botë

Koreja e Veriut shkarkon zyrtarin më të fuqishëm ushtarak pas Kimit

FBI: Hakerët e Koresë së Veriut vodhën më shumë se 600 milionë dollarë në kriptovaluta

Koreja e Veriut ka shkarkuar Pak Jong Chonin, zyrtarin e dytë më të fuqishëm ushtarak pas liderit Kim Jong Un, kanë njoftuar të hënën mediat shtetërore, raporton Reuters.

Pak, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe sekretar i Komitetit Qendror të partisë, u zëvendësua nga Ri Yong Gil në takimin vjetor të komitetit javën e kaluar, tha të dielën agjencia zyrtare e lajmeve “KCNA”.

Nuk u dha asnjë arsye për këtë ndryshim. Pheniani rregullisht rinovon udhëheqjen e tij dhe mbledhja e partisë në fund të vitit është përdorur shpesh për të shpallur riorganizime të personelit dhe vendime të rëndësishme politike.

Komisioni Qendror Ushtarak i partisë, i cili drejtohet nga Kim, konsiderohet organi më i fuqishëm vendimmarrës ushtarak i vendit, mbi ministrinë e mbrojtjes.

Zëvendësimi i Pakut ndodhi pasi Kimi bëri thirrje për zhvillimin e raketave të reja balistike ndërkontinentale dhe një arsenal më të madh bërthamor për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, si çelësi i strategjisë së mbrojtjes së vendit të izoluar për vitin 2023.

Në fund të vitit 2020, Pak u promovua në Byronë Politike dhe fitoi titullin e marshallit, gradën më të lartë ushtarake nën Kimin dhe u bë një zë kryesor nëntorin e kaluar kundër stërvitjeve të përbashkëta ushtarake Kore e Jugut-SHBA.

Shkarkimi i Pak ndodhi pavarësisht se Kimi lavdëroi përparimet e ushtrisë në zhvillimin e armëve gjatë takimit, ndryshe nga fushat e tjera ku ai vuri në dukje disa gabime dhe bëri thirrje për përmirësim.

Ri, pasardhësi i Pakut, është gjithashtu komandant i lartë ushtarak që mbante poste kyçe, duke përfshirë shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe ministrin e Mbrojtjes.