Restorantet e ushqimit të shpejtë në Francë po përgatiten për një nga ndryshimet më të mëdha të tyre në dekada pasi qeveria po ndalon pjatat, gotat dhe tabakët njëpërdorimshme për këdo që ha ose pi aty.
Zinxhirë të tillë lokalesh si McDonald's, Burger King, Starbucks dhe Subway po përballen me atë që ambientalistët e kanë quajtur "revolucion" më 1 janar, raportoi The Guardian.
Pjesa më e madhe e industrisë së ushqimit të shpejtë përdor një model ekonomik të ndërtuar mbi kuti, gota dhe ambalazhe që gjuhen, të cilat klientët i hedhin nga tabakaja e tyre në kosh menjëherë pas ngrënies.
Sipas rregullave të reja, çdo restorant me më shumë se 20 vende – duke përfshirë mensat e punës, zinxhirët e furrave, dyqanet e ushqimit të shpejtë – do të duhet të ofrojë gota, pjata, tabaka të ripërdorshme, të larë për klientët që hanë.
Kjo do të thotë se hamburgerët dhe sandviçët nuk mund të shërbehen më në kuti, por sërish mund të mbështillen në letër. Të gjitha ushqimet e tjera, si çipsat, picat, akulloret apo ëmbëlsirat duhet të shërbehen në enë të ripërdorshme.