Ish-presidenti Castillo, i cili është në paraburgim, është duke u hetuar nën akuzat për kryengritje dhe konspiracion. Ai ka mohuar akuzat, duke insistuar se ende është presidenti legjitim i Perusë.
Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes të shtunën, duke thënë se nuk do të zgjidhte krizën politike që ka shkaktuar paraardhësi i saj i shkarkuar, Pedro Castillo.
Boluarte ka përsëritur thirrjet drejt Kongresit që të shpallë zgjedhjet e reja, si mundësia më e mirë për të ndalur protestat në të cilat deri më tani kanë humbur jetën 20 persona. Kongresi ka refuzuar këtë propozim.
Protestuesit që përkrahin ish-presidentin Castillo duan largimin e Boluartes – por edhe zgjedhjet e reja dhe shpërbërjen e Kongresit.
Peruja në vitet e fundit është përballur me krizë të madhe politike. Kjo e fundit ka nisur kur Castillo njoftoi për shpërbërjen e Kongresit dhe shpalli gjendje emergjente. Mirëpo Kongresi ka vazhduar me votimin për shkarkimin e tij.
Ish-presidenti Castillo, i cili është në paraburgim, është duke u hetuar nën akuzat për kryengritje dhe konspiracion. Ai ka mohuar akuzat, duke insistuar se ende është presidenti legjitim i Perusë.
Të premten, Kongresi ka votuar kundër propozimit që të afrojë zgjedhjet për vitin e ardhshëm.
Thirrja e fundit për zgjedhje nga presidentja Boluarte pason bisedimet e nivelit të lartë nga politikanët peruan dhe udhëheqësit e kishës.
Këshilli i Shtetit, organi i përbërë nga përfaqësues të të gjitha degëve të pushtetit dhe udhëheqësit e Kishës patën një takim tre-orësh në kryeqytetin, Lima.
Pas takimit të së premtes në mbrëmje, kreu i Bordit Kombëtar të Drejtësisë, José Ávila, u bëri thirrje peruanëve që të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog paqësor me autoritetet.
Ai ka thënë se ministrat e qeverisë do të udhëtojnë në zonat ku njerëzit po protestonin, për të nxitur një dialog të tillë.
Përleshjet të enjten midis ushtrisë dhe mbështetësve të Castillo në rajonin qendror Ayacucho lanë të paktën tetë persona të vdekur, thanë autoritetet shëndetësore. Pamjet në mediat sociale treguan protestuesit duke bllokuar rrugët kryesore dhe aeroportet.
Vetëm disa orë më vonë, ministrja e Arsimit, Patricia Correa, ka thënë se do të largohej nga posti. Në një postim në Twitter të premten, ajo ka shkruar se “vdekja e bashkatdhetarëve nuk ka justifikim”, dhe se “dhuna shtetërore nuk mund të jetë joproporcionale dhe të shkaktojë vdekje”. Ministri i Kulturës, Jair Perez, gjithashtu ka dhenë dorëheqje.
Protestat po prekin edhe industrinë e turizmit në vend. Kryetari i bashkisë së Cusco ka thënë se rreth 5 mijë turistë janë bllokuar në qytet pasi aeroporti atje u mbyll kur protestuesit u përpoqën të sulmonin terminalin.
Qyteti është porta për në Macchu Picchu, kështjellë e lashtë inkase e cila vizitohet nga qindra mijëra njerëz në vit.
Rreth 800 turistë janë bllokuar edhe në qytetin e vogël rrëzë malit ku ndodhet vendi arkeologjik, për shkak se linja hekurudhore që i shërben asaj ka pushuar së funksionuari.
Disa turistë kryesisht amerikanë dhe evropianë thuhet se janë larguar nga qyteti në këmbë përgjatë shinave të trenit në një përpjekje për t'u kthyer në Cusco.