Botë

Meksika i ofroi azil ish-presidentit peruan, u zu gjatë rrugës për në ambasadë

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, largimin e presidentit të Perusë e ka cilësuar si grusht shtet të butë dhe ka konfirmuar se Pedro Castillo ka kërkuar azil në Ambasadën meksikane.

Lopez Obrado ka thënë se ka dhënë dritën e gjelbër për kërkesën e Castillos për azil, të cilën e kishte bërë gjatë bisedës telefonike me zyrën e presidencës meksikane. Mirëpo presidenti meksikan ka thënë se planet për azil janë prishur kur Castillo u kap nga policia gjatë rrugës për në Ambasadën meksikane në Lima. Atje po e prisnin një grup i madh protestuesish.

Përshkrimi i ngjarjeve nga presidenti meksikan nuk përfshinte edhe reagimin ndaj vendimit të Castillos për të shpërbërë Kongresin e Perusë. Castillo ka bërë përpjekje që të pamundësohet votimi i tretë për shkarkimin e tij, pasi u mbijetoi dy përpjekjeve të mëparshme për shkak të hetimeve federale, kryesisht nën akuzat për korrupsion. Ai u shkarkua nga detyra për arsye të paaftësisë së përhershme morale.

Ndërkaq presidentja e sapozgjedhur, Dina Boluarte, ka thënë se do ta vazhdojë mandatin e Castillos deri në vitin 2026. Ish-presidenti po mbahet në arrest në një nga stacionet më të mëdha policore të kryeqytetit Lima.