Komenti i kancelarit gjerman është bërë një ditë pasi presidenti Putin ka thënë se rreziku i luftës bërthamore “po rritet – e do të ishte gabim ta fshihnim”
Berlin, 8 dhjetor (BBC) - Rreziku i përdorimet të armëve bërthamore në konfliktin e Ukrainës është zvogëluar “për momentin”, ka theksuar kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Rusia ka ndaluar së kërcënuari se do të përdorë armë bërthamore në përgjigje të komunitetit ndërkombëtar që shënon një vijë të kuqe”, ka thënë Scholz.
“Të mërkurën, presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar se Moska do të përdorte vetëm armë bërthamore si hakmarrje.
Mirëpo SHBA-ja i denoncoi komentet si “bisedime të lira”.
Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore është vënë nën kontroll të shtuar që kur ajo e pushtoi Ukrainën, në shkurt. Në një fjalim drejtuar vendit në shtator, Putini ka thënë se vendi i tij kishte “armë të ndryshme shkatërrimi” dhe do të “përdorte të gjitha mjetet në dispozicion”, duke shtuar: “Nuk po bëj blof”.
Në një intervistë, Scholz ka theksuar se vizita e tij e fundit në Kinë kishte kontribuar në “ndalimin” e kërcënimit të përshkallëzimit bërthamor.
Ai ka thënë se ai dhe presidenti kinez, Xi Jinnping, ishin dakord se “armët bërthamore nuk duhet të përdoren” dhe se vendet e G20 e kishin riafirmuar këtë qëndrim menjëherë më pas.
Komenti i kancelarit gjerman ka ardhur një ditë pasi presidenti Putin ka thënë se rreziku i luftës bërthamore “po rritet – e do të ishte gabim ta fshihnim”.
Duke folur në një takim televiziv të këshillit të tij për të drejtat e njeriut, udhëheqësi rus ka pohuar se Rusia “në asnjë rrethanë” nuk do të përdorte armët e para dhe nuk do ta kërcënonte askënd me arsenalin e saj bërthamor.
“Nuk jemi çmendur, jemi të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore”, ka thënë ai duke shtuar: “Nuk do të vrapojmë nëpër botë duke e trajtuar atë armë si brisk që sillet në gisht”.
Në intervistë, Scholz, po ashtu, i ka trajtuar komentet e bëra nga presidenti francez, Emmanuel Macron, se do të ishte e nevojshme të jepeshin “garanci për sigurinë e saj për Rusinë, ditën që ajo do të kthehet në tryezën e negociatave”.
“Prioritet tani është që Rusia t’i japë fund luftës menjëherë dhe të tërheqë trupat e saj”, ka thënë ai, duke shtuar se “natyrisht ne jemi të gatshëm të flasim me Rusinë për kontrollin e armëve në Evropë. E kemi ofruar këtë para luftës dhe ky pozicion nuk ka ndryshuar”.
Pavarësisht vlerësimit të Scholzit se rreziku është ulur falë presionit perëndimor, SHBA-ja ka kritikuar komentet e Putinit, të cilat thanë se përbënin “bisedime të lira” dhe “tronditje bërthamore”.
“Është e rrezikshme dhe bie ndesh me frymën e asaj deklarate që ka qenë në thelb të regjimit të mospërhapjes bërthamore që nga Lufta e Ftohtë”, ka theksuar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Scholz – i cili shënon një vit që kur u zgjodh kancelar – ka prekur gjithashtu çështjet e brendshme të mbrojtjes që kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Menjëherë pasi Rusia e pushtoi vendin, ai njoftoi një ndryshim të madh të politikës së mbrojtjes duke u angazhuar për të shpenzuar 100 miliardë euro për ushtrinë gjermane dhe duke rritur shpenzimet e mbrojtjes në mbi 2% të GDP-së së Gjermanisë.
Tani Scholzi ka thënë se shpreson të zhvillojë një mburojë mbrojtëse raketore në pesë vjetët e ardhshëm dhe sinjalizoi se Qeveria gjermane është tashmë në bisedime me prodhuesit e sistemeve të ndryshme të mbrojtjes “për t'u përgatitur për vendime konkrete”.
Përktheu: Blerta Haxhiu