Botë

155 persona të lënduar nga përplasja e trenave në Katalonja

Të paktën 155 persona kanë mbetur të lënduar të mërkurën, pas përplasjes së dy trenave në regjion të Katalonjës në veri-lindje të Spanjës, raporton BBC.

Shërbimet e emergjencës lajmëruan në Twitter se 150 persona kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa shtuan se 5 të tjerë janë në gjendje “më pak serioze”.

Shërbimet emergjente po ashtu kanë shtuar se tre persona janë transferuar në spital.

Njoftohet se përplasja ka ndodhur rreth 12 kilometra larg qendrës së qytetit, në stacionin e Moncada i Reixac – Manresa.

Ende nuk është e qartë si ka ndodhur aksidenti pasi që autoritetet përkatëse duhet t’a konfirmojnë, por sipas mediave lokale trenat kanë qenë duke udhëtuar në të njëjtin drejtim dhe janë përplasur pasi që njëri prej tyre ka qenë i parkuar në stacion.