Botë

Indonezia miraton kodin që ndalon marrëdhëniet seksuale jashtë martesës

Parlamenti i Indonezisë ka aprovuar një kod të ri kriminal që do t’i ndalojë marrëdhëniet seksuale jashtë martese.

Dënimi për ata që e shkelin këtë kod do të jetë deri në një vit burgim, raportoi BBC-ja të martën.

Kodi është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët e kanë cilësuar si shkatërrim për liritë demokratike.

Kodi i ri penal nuk do të hyjë në fuqi për tre vjet të tjerë dhe gjithashtu përfshin një ndalim për fyerjen e presidentit dhe shprehjen e pikëpamjeve që bien ndesh me ideologjinë shtetërore.

Disa grupe të të drejtave kanë mbajtur protesta jashtë parlamentit në Xhakarta javën e kaluar për ta kundërshtuar kodin.

Kodi i cili do të aplikohet edhe për indonezianët edhe për të huajt, përfshin disa ligje “morali” dhe e bën ilegale për çiftet e pamartuara që të jetojnë së bashkë dhe të kenë marrëdhënie seksuale.

Grupet e të drejtave thonë se kodi ndikon te gratë, komuniteti LGBTI dhe minoritetet etnike në shtet.

Kodi i ri po ashtu shtrëngon ligjet e blasfemisë dhe ndikon në jetën publike.