Suedia ka ekstraduar në Turqi të premten një kurd të dyshuar për lidhje me terrorizmin, në kohën kur Ankaraja i bën presion vendit skandinav të përmbushë kërkesat e saj në këmbim të miratimit të anëtarësimit në NATO, ka njoftuar të shtunën agjencia e lajmeve Anadolu.
Mahmut Tat ka kërkuar azil në Suedi në vitin 2015, pasi u dënua me gjashtë vjet e 10 muaj burgim në Turqi për lidhje të dyshuara me grupin militant kurd PKK. Transmetuesi shtetëror turk TRT ka raportuar se Tat u dërgua në burg në Stamboll të shtunën. Autoritetet suedeze nuk i kanë konfirmuar ende këto pretendime për Reutersin.
Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar për anëtarësim në NATO në muajin maj, pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por u përballën me kundërshtime nga Turqia, e cila i akuzoi për mbështetje të militantëve të PKK-së dhe grupeve të tjera. Turqia ka njoftuar të mërkurën se të dyja vendet kanë bërë përparim drejt miratimit për anëtarësim, por se duhet bërë më shumë për të përmbushur kërkesat e Ankarasë.
Turqia kërkon gjithashtu ekstradimin e individëve të lidhur me Fethullah Gylenin, klerik turk që jeton në SHBA, të cilin autoritetet turke e akuzojnë se qëndron pas përpjekjes për grusht-shtet të vitit 2016. Stokholmi dhe Helsinki mohojnë se strehojnë militantë, por kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me Ankaranë për të përmbushur shqetësimet e saj të sigurisë, si dhe për të hequr një embargo të armëve.
NATO i merr vendimet me konsensus, që do të thotë se vendet nordike kanë nevojë për pëlqimin e të 30 anëtarëve. Vetëm Turqia e kundërshton anëtarësimin e tyre.