Botë

Evropa është e dobët pa mbështetjen e SHBA-së

 

Kryeministrja finlandeze ka deklaruar se po të mos ishte ndihma e madhe amerikane, Evropa do të ishte e pafuqishme për ta kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës. Sanna Marin gjithashtu ka bërë thirrje për përforcim të mbrojtjes evropiane.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë se Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme për ta kundërshtuar vetë pushtimin rus të Ukrainës dhe se është dashur të mbështetet në përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës në Australi, liderja e shtetit që po pret të anëtarësohet në NATO, ka thënë se mbrojtja e Evropës duhet të forcohet. Ajo ka thënë se Evropa do të ishte në telashe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani, SHBA-ja ka ofruar ndihmën më të madhe ushtarake për Ukrainën.

Që prej fillimit të luftës, SHBA-ja ka ofruar 18 miliardë dollarë ndihma ushtarake. Pas saj është BE-ja, e përcjell nga Mbretëria e Bashkuar. Mirëpo kontributet e tyre janë dukshëm më të vogla krahasuar me SHBA-në. Ndërkaq, tani kur depot ushtarake të shteteve evropiane po zbrazen për ta ndihmuar Ukrainën, kryeministrja finlandeze ka thënë se duhet shumë punë për ta forcuar mbrojtjen evropiane.