Botë

Putini i përgjigjet pozitivisht gatishmërisë së Bidenit për bisedime rreth Ukrainës

Descriptive Text

Presidenti rus, Vladimir Putin është i hapur për bisedime mbi një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë dhe beson në një zgjidhje diplomatike, tha Kremlini të premten në përgjigje të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili deklaroi se ishte i përgatitur të fliste me liderin rus.

Biden, duke folur përkrah presidentit francez, Emmanuel Macron, ka thënë se e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë është që Putini të tërhiqte trupat dhe se nëse Putini do të kërkonte t'i jepte fund konfliktit, atëherë Bideni do të ishte i përgatitur të fliste me shefin e Kremlinit, raportoi Reuters të premten.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pati një ton të çuditshëm kur u pyet për komentet e Bidenit, duke thënë se Putini mbetet i hapur për negociata, por se Rusia nuk do të tërhiqej nga Ukraina.

“Presidenti i Federatës Ruse ka qenë gjithmonë, është dhe mbetet i hapur për negociata për të garantuar interesat tona”, u tha Peskov gazetarëve.

Putin ka thënë se nuk është penduar për fillimin e asaj që ai e quan "operacionin special ushtarak" të Rusisë kundër Ukrainës, duke e konsideruar atë si një moment vendimtar kur Rusia më në fund iu kundërvu hegjemonisë arrogante perëndimore pas dekadash poshtërimi në vitet që nga rënia e Bashkimit Sovjektik, më 1991.

Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putini nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e konsiderojnë si një luftë pushtuese të stilit perandorak. Ukraina thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të dëbohet nga territori i saj.

Rusia ka pretenduar rreth një të pestën e territorit post-sovjetik të Ukrainës, aneksime që Perëndimi dhe Ukraina thonë se s’do t'i pranojnë ndonjëherë.

Peskov tha se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur "territoret e reja" si ruse po pengon kërkimin për ndonjë kompromis të mundshëm.