Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara (Pentagon) vlerëson se Kina do të ketë 1500 koka bërthamore deri në vitin 2035. Është vënë në dukje se amerikanët mbeten prapa kinezëve në zhvillimin e armëve hipersonike, shkruan CNN.
Vendi më i populluar në botë arriti të tejkalojë numrin prej 400 kokash bërthamore në një kohë të shkurtër. Raporti i Pentagonit theksoi se Pekini është angazhuar për zhvillimin e shpejtë të energjisë bërthamore në një përpjekje për të sfiduar SHBA-në si fuqinë numër një në botë.
Në raport theksohet se kinezët po përdorin fuqinë e tyre ushtarake në rritje për të krijuar një sistem ndërkombëtar të dominuar nga botëkuptimi i tyre. Është paralajmëruar se kjo përbën një sfidë për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Kina, sipas raportit, tani është larg asaj që dikur quhej një "parandalues i dobët dhe efektiv bërthamor". U theksua se tani fuqia e saj bërthamore mbështetet në mundësinë e lëshimit të raketave bërthamore nga toka, deti dhe ajri, gjë që shqetëson Uashingtonin.
Raporti i SHBA-së deklaron gjithashtu se Kina kishte 135 prova të raketave balistike vitin e kaluar, që është më shumë se pjesa tjetër e botës së bashku. Gjithashtu u veçua testimi i një rakete hipersonike nga ana e Kinës, pasi ishte një arritje që i sinjalizoi SHBA-së se ishte mbrapa në zhvillimin e armëve hipersonike. Sipas një zyrtari amerikan, raketa hipersonike kineze fluturoi 40 mijë kilometra dhe doli të ishte fluturimi më i gjatë i një rakete kineze të lëshuar nga kontinenti.
Përveç kësaj, ushtria kineze po zhvillon armë hapësinore dhe anti-hapësirë. Ajo ka pothuajse një milion ushtarë, marina më e madhe në botë për nga numri i anijeve dhe forca e tretë më e madhe ajrore në botë. Në strategjinë e këtij viti për mbrojtjen kombëtare të Kinës, SHBA-ja u identifikua si sfida më e madhe e Kinës.